Takimi i shumëpërfolur i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të zhvillohet sot, e shtunë, në Ohër të Maqedonisë.
Që të dy protagonistët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Pjesë e takimit do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit.
Një ditë para takimit në Ohër, ky i fundit zhvilloi takime në Kosovë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, kreun e ekzekutivit, kryeparlamentarin Konjufca dhe përfaqësues nga opozita.
RTV Dukagjini do të ketë transmetim special me raportim drejtpërdrejt nga Ohri me fillim nga ora 9:30.
Pas arritjes së tij në Ohër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan, Derek Chollet.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka bërë të ditur se takimi në Ohër ishte pjesë diskutimi në bisedën me Chollet.
“Me të mbërritur në Ohër/Ohër para bisedimeve të nesërme, pata një telefonatë me të @CounselorDOS Chollet. Diskutuam rëndësinë e kësaj fundjave për Kosovën, rajonin, integrimin euroatlantik dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që e nesërmja të jetë e suksesshme”, ka shkruar ai.
Upon my arrival in Ohër/Ohrid ahead of tomorrow's talks, I had a phone call with @CounselorDOS Chollet.
We discussed the importance of this weekend for Kosova, the region, Euro-Atlantic integration, and security. I emphasized that we are committed to making tomorrow a success. pic.twitter.com/LKpoTg6zVO— Albin Kurti (@albinkurti) March 17, 2023
Hera e fundit që kreu i ekzekutivit kosovar ishte takuar me presidentin Vuçiq ishte në Bruksel, më 27 shkurt.
Lidhur me takimin, ishte Zyra e Kryeministrit ajo e cila kishte dhënë detaje për takimin në Bruksel.
Në njoftimin e ZKM-së, thuhej se pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral pas të cilit Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por është refuzuar nga Serbia.
Krahas kësaj, u bë e ditur se ishte arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë.
Tutje thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.