Sylejman Selimi: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sylejman Selimi tha se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK dhe se ai nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm por ka dhënë urdhra ose u konsultu me Shtabin e Përgjithshëm me njerëzit që i ka njohur”, tha fillimisht dëshmitari.

Sylejman Selimi shpjegoi se Adem Jashari ka pasur lidhje me Shtabin e Përgjithshëm e po ashtu edhe me persona të tjerë nëpër vende të ndryshme.

“Ai vazhdimisht e ka pas lidhjen me Shtabin e Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm gjithmonë ka kontaktuar me të. Ademi  ka qenë figura kryesore e ushtrisë…Normal në këtë kohë ka pasur edhe nëpër vende të ndryshme si Dukagjini edhe Llap por nuk kam mujtë me i njoftë tanë në këtë periudhë. Anëtarët e shtabit i kanë pasur të gjithë anëtarët e vetë në të gjitha zonat”, tha dëshmitari.

Gjyqtari i tha dëshmitarit se javën e kaluar ka thënë për ZPS-në se Adem Jashari ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Madje,  dëshmitarit iu prezantua edhe një deklaratë që e kishte dhënë lidhur me këtë çështje për  Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

“Çdo gjë që  është bërë është bërë me plan të Shtabit të Përgjithshëm… Njëkohësisht edhe në zonat tjera kanë vepruar me të njëjtin plan nga Shtabin e Përgjithshëm. Çdo gjë ka qenë e organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm”, kishte thënë dëshmitari për TPNJ-në.

Si rrjedhojë, dëshmitari deklaroi se ai e ka shpjegua se si ka shkua procesi, por sipas tij Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

“Unë e kam spjeu si ka shku por Adem Jashari ka qenë kryesor, organizimin nëpër…”, tha dëshmitari para se të iu nderprehet fjala nga gjyqtari.

“Jo jo, dëshmitar nuk po iu pyes këtë. Ju e dëgjua vetë tani se kur thatë se kush i jepte urdhra kujt”, tha gjyqtari Mettraux.

Megjithatë, dëshmitari insistoi në qëndrimin e tij se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

“Unë çdo herë mund të hem që kryesor në UÇK ka qenë Adem Jashari. Unë e kam spjegu se si unë kam mëndu dhe si u organizu Shtabi i Përgjithshëm nga mendimi jem, por duke e ditë që unë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm unë i kam jep ato mendimet e mija”, tha dëshmitari.

Sylejman Selimi tha se pa Adem Jasharin nuk do të kishte UÇK.

Nuk besoj që kam thanë që Adem Jashari ka marrë urdhra. Adem Jashari s’ka marrë urdhra por ka jep urdhra. Adem Jashari ka qenë komandant  kryesor. Pa Adem Jasharin s’kishte me pas as UÇK.

Gjatë kohës sa ka qenë komandant i përgjithshëm i UÇK-së, dëshmitari mohoi se i ka raportuar dikujt. Ndërsa tha se nuk ka pasur personel në Shtabin e Përgjithshëm.

“Kurrfarë personeli s’ka pas në sh të p kur kam shku. Kanë qenë këta individ por kur jam kthy kam qenë me njerëzit e mi prap”, tha ai.

Ndërsa, kur u pyet se a u takua me ndonjërin prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së sa ka qenë komandant, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

“Përveç se me Bislim Zyrapin nuk e di që kam pasur kontakte”, tha ai.

“Sa me kujtohet s’kam pas kontakte”, tha dëshmitari kur u pyet se a ka pasur ndonjë kontakt me drejtorin e sektorit të Policisë ushtarake, ose me atë të Zbulim-kundërzbulimit.

Ai mohoi se i kujtohet që ka lëshuar ndonjë komunikatë si komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Gjithashtu ai u përgjigj me ‘e saktë’ që nuk i ka raportuar asnjëherë Qeverisë së Përkohshme të Kosovës sa ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

Sylejman Selimit thotë se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 121 i ZPS-së, Sylejman Selimi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ngjashëm si ditëve tjera të dëshmisë së tij, dëshmitari përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux dëshmitari tha se nuk i din kontaktet direkte të Adem Jasharit por që ai ka komunikuar me personat rreth tij dhe me grupe të ndryshëm të UÇK-së.

“Kontaktet direkte të tij nuk i di më kë i ka pas por ka pasur me shumë njerëz dhe shumë grupe se ka qenë i pari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.

Serish dëshmitari u pyet se a ka pasur dijeni që përpara luftës Adem Jashari ka pasur kontakte me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.

“Prapë po them të njëjtën gjë edhe tash edhe atëherë kur kam deklaru. Adem Jashari ka pasur kontakte me të gjithë. Unë nuk kam ditur ku ka qenë Shtabi dhe a ka ekzistu në atë kohë por ai ka pasur kontakte edhe me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm edhe me njerëz të tjerë.

Dëshmitari pohoi se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin përpara periudhës së luftës.

Kryegjyqtari njoftoi se të hënën me 17 shkurt do të jetë pushim. Veç kësaj, ai njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Bëhuni pjesë e lojës shpërblyese të shtëpisë botuese “Dukagjini” –...

Shtëpia botuese “Dukagjini” fton të gjithë lexuesit të bëhen pjesë e garës “Review për librat tanë”. Në këtë konkurs, ftohen të gjithë lexuesit e botimeve...

Rutte: NATO po ndjek zgjedhjet në Kosovë, duket se do...

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka komentuar zhvillimet politike në vend gjatë një konference për media, duke vënë në pah se aleanca...

Perla luksoze që po lind në bregdetin shqiptar: Dukagjini Resort...

Brigjet e Shëngjinit së shpejti do të mirëpresin një nga investimet më madhore në historinë e turizmit shqiptar. Një projekt ambicioz, që hap shtigje...

Të fundit nga rubrika