Lotët e sajë nuk janë tharë pothuajse asnjëherë që nga dita kur mori një lajm të trisht.
Gusht, 1998 në Krumë të Hasit ra lajmi që dy shqiptarë ishin vrarë në vijën kufitare mes Shqipërisë dhe ish Jugosllavisë.
Ata ishin Besmir Azem Brati dhe Naim Hajdar Qema.
Njëri burri e tjetri vëllai i Afërdita Bratit, që edhe sot i kujton në detaje momentin kur bashkëshortin e sajë e pa për herë të fundit.
“Në mëngjes sa ka dal prej shpije unë atë e kam parë për herë të fundit, e kane thirr shtabi UCK dhe me ka thënë që unë po iki. Nuk e ka menduar ndonjëherë që ajo kish me qenë hera e fundit që e shoh”, ka thënë gruaja e Besmir Bratit, Afërdita Brati.
Në fakt Besmir Brati, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ishte bashkuar kohë më parë.
Ai ndihmonte guerilen që po luftonte për çlirim, herë në front e herë në logjistikë.
Bashkë me mikun e tij Naim Qemën 20 vjeçar, ata u vranë në të njëjtën ditë në një pritë që serbët kishin organizuar në Lipovec të Godenit.
Nuk u dorëzuan, luftuan me aq sa kishin fuqi deri sa ranë për t’mos vdekur kurrë e kujtuar gjithmonë, si dëshmorë të atdheut.
Trupat e tyre u gjetën tek pasi lufta në Kosovë mori fund.
“Trupin e atyre i kemi gjetur pasi u cliru Kosova. Ka pasur shumë luftime, me predha me granata, në atë prit kishin qenë vllau im, burri, ka qenë vetë i katërti në Lipovec, të Godenit. Burri më ka lënë me tri vajza, 3 vjece, 2 vjece dhe 1 vjece kanë qenë të vogla. Vajza madhe e kujton babin, ajo edhe është martuar. Shumë e vështirë ka qenë një nanë me tri vajza të vogla, pa ndihmë e pa përkrahje, dhimbja për mu ka qenë e dyfisht aty më është vra edhe vllau ai ka qenë 20 vjec” ka shtuar Brati.
Besimir Brati e Naim Qema, janë vetëm dy nga dhjetëra dëshmorë të UÇK-së, e që vijnë nga Kruma e Hasit të Shqipërisë.
Ndihma e hasjanëve për Ushtrinë Çlirimtare ishte e pakursyer, trimëria e tyre ishte e padëgjuar.
Në mes këtyre trimash ishte edhe Xhevat Lleshi.
28 vjeçar, qe ndër të parët që ndihmonte ca djem Kosove që po ëndërronin lirinë.
Betim kishte dhënë për dy gjëra. Luftën për Kosovën s’do e ndalte e në dorë armikut për së gjalli s’do i binte kurrë.
Kështu edhe bëri, në momentin që kishte rënë në mina e trupi i ishte dëmtuar rënd, zgjodhi një rrugë për të mos u dorëzuar.
“Tana herët e mbajke në xhep një fishek të vogël në pantoll. E pytshmi pse Xhevate mban këtë fishek, thojke kur t bijë n prit me shkije thojke ma gjojnë fishekun a dinë gjatë ngutjes,për mos mem kap shkijet gjallë thojke e ruj njëfishet në xhep të vogël edhe ia rasi vetit këtu thojke. E me të vërtetë ashtu qëlloj”, ka thënë kushëriri i Xhevat Lleshit, Avdi Lleshi.
Gushit i vitit 1998 aq sa ishte i rënë për Kosovën ishte edhe për Hasin rajon në Veri të Shqipërisë.
Serbët kishin kuptuar tashmë që UÇK-ja po mbështetej pakushte kryesisht nga shqiptarët e Shqipërisë së Veriut.
I tillë ishte edhe Adem Ukë Mazreku nga Vranishta e Hasit.
“Vllau jem Adem MAzreku duke pa ka pasur një urrejtje të madhe për serbët i cili duke u frymëzuar nga lufta, që u bë maskra me civilët në Kosovë, ai u frymëzua për luftë, e pa nevojën ëq t;’i bashkangjitet luftës duke furnizuar bazat e UCK;së me armatim. Kishte urrjetje për serbët dhe ai gjithnjë e më shumë u aktivizua në luftë, nga patriotizmi që kishte, kishte edhe një shpift luftëtari që i vogël kur ndëgjojke për luftrat si ajo nacional clirimtare u frymëozjke shumë, më shumë u frymëzu kur u bë masakra që u ndëgjojke për to në televizon”, ka thënë vëllai i Adem Mazrekut.
Mzreku i frymëzuar për luftë më 17 gusht po ndihmonte ushtarët e UCK-së për të futur arëm në Kosovë.
Ai bashkë me luftëtarët e tjerë ranë në një prit tek vendi i quajtur Varri i Mirë
Ushtria serbe ishin në dijeni se ky djalë i ri ishte nga Vranishta e Hasit, andaj trupin e tij e lidhën në helikopter e me të bënë xhiro mbi Prizren.
Mesazhi ishte që kushdo që ndihmonte kosovarët do ta kishin një fat të tillë.
Pak nga kjo histori dinë edhe djali i vogël i Adem Mazrekut, Arifi.
“Historia që unë vazhdimisht kam dëgju osht se ai ka pasur vullnet shumë të madh për luftën e Kosovës. Faktike edhe s’ma kanë tregu se njerëzve edhe iu vjen keq me ma kujtu një gjë që edhe une u nijsha keq se të rritesh pa njërin prind është diçka shumë e madhe”, ka thënë Arifi.
Histori trimërishë të tilla dëgjon nga do që shkon nëpër Has të Shqipërisë.
Djem të ri që lanë familjet e tyre e deshën vetëm një gjë. Të luftonin për çlirimin e Kosovës.
Ky që po e shihni në këto pamje është Sefedin Mulaj.
Është i biri i Hamdi Mulajt një burri trim nga Hasi i Shqipërisë, që lavdishëm ra në altarin e lirisë.
“Unë jam ndje keq se kam mungesën e prindit, por jam krenar që ai është hero, dëshmor dhe ndihem shumë mirë që ai ka vdekur për liri. Ka qenë një trim i madh si më tregojnë një luftëtar trim. Unë kam paraqitjen e babit por nuk kam ndonjë vecanti ndaj tij, po rëndësi ka që unë jam i tij dhe jam krenar për këtë. unë jam shumë i lidhur me Kosovën, punoj atje me një firmë që materialeve ndërtimore. Cdo herë që kaloj asaj rruge shoh përmendoren e babit dhe natyrisht më kujton atë”, ka thënë Sefedin Mulaj.
Dëshmorët janë pasuria më e çmuar e një kombi, por të paharruar mbesin edhe ata që ndihmojnë një luftë çlirimtare.
Të tillë që ndihmuan UÇK-në në Shqipëri ka shumë.
Në mes tyre është edhe familja e Lum Pogës, shtëpia e të cilit në kohë lufte ishte shndërruar në një bazë sekrete të UÇK-së.
Në këtë dhomë ishin vendosur themelet e Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së.
“Kur vijshin te shpija këtu emrat nuk ua dijshim, ja daja ja plaku ja studenti. Edhe është para 97’tës pa u thy depot ishte lëvizja e fillimit të parë edhe u takuam më pas. Vjen Azem Syla, i thojshim daja i madh, Plaku, Hashimit edhe atij student i thonim po dikur krejt vonë morrëm vesh që e kishte emrin e tillë, KAdri VEseli e të tjerë,. Këtu kanë nejt ata në fillimet e para derisa u hap rrethi edhe vijshin me makina të vogla bajshim 5,6 armë dhe i dërgojshim në Kishaj te Lah Lleshi dhe i dërgonim andej”, ka thënë Lum Poga.
Kruma tashmë ka rënë në një qetësi dimërore, por as bora e barëdhë e malet e larta, kontributin e tyre për luftën e UÇK-së, nuk e fshehin dot.
“Unë jam Ismajl Dauti, prej fshatit Golaj, i martum me 7 fmijë, 6 quna e 1 gocë. Kohën kur më ka bo thirrje Sokoli se a mundesh me punu me ne, i kam thanë i kam fëmijët e vegjël edhe kam frikë nga burgu”, ka thënë veterani i UÇK-së, Ismajl Dauti.
Ismajl Dauti 25 vjet pas luftës, ka për krenari të tregoj se i kishte ndihmuar një prej njerëzve më të rëndësishëm të UCK-së, Luan Haradinajn.
“Kam fillu me bajt armatim me shumicë e qojsha të Alush Gradica, rahmet pas se ka vdek, në prag të vitit të ri ka vdek, e qojshim atje me luan Haradinajn. Jom kanë shofer i tij. E kam pas apostafat kamionin të maskuar në atë formë sa rreth e rreth ka pas armatim edhe në dysheme, gjoja se janë tu shit gjoja ndihmash.U nalsha në pazar, se u kanë pazari këtu edhe e hapsha vec rrijsha pak kohë sa më hup gjurmë, dikur iksha e qojsha të Alush Gradica, masandej, Luani, e bajte armatimin vet, se u kanë shumë i fuqishëm”, ka shtuar Dauri.
Rrëfim po kaq emocional ka edhe Bedri Cahani.
“Bedri Cahani nga fshati Cahan, nga fshati Cahan, tashti banojë ne Krumë, jam 52 vjec. Kam qenë pjesë e UCK-së qysh në ’97-tën dhe deri ën përfundim të luftës që ka qenë me operacionin shigjeta”, ka thënë Cahani.
Ai bashkë me shumë të tjerë ushtarë të UCK-së, detyrë primare kishte bartjen e armëve e shoqërimin e personelit të Ushtrisë Çlirimtare, deri në territorin e Kosovës.
“Max i armatimit që ne kemi kaluar për një natë ka qenë 147 kuaj edhe gomarë që kemi kaluar për një natë shto këtu plus ushtarët. ne e vrojtofshim kufirin 2-3 ditë përpara ne si grup që ishim përgjegjësa Qamil Cahani, Agon Cahani e Gëzim Cahani edhe Hamdia, Hamdi Cahani ka qenë më i vjetër ndër ne. Dilshim në vrojtim përpara, kalojshim kufirin 2/3 ditë përpara dilshim vrojtim e shifshim që nuk ka lëvizje të ushtrisë serbe edhe u organizojshim në mënyrë të përshtatshme dhe e kalojshim armatimin”, ka shtuar Cahani.
Do duhej një rrëfim edhe më i gjatë për t’a përmbledhur kontributin madhështor të shqiptarëve të Shqipërisë, për çlirimin e Kosovës.
Nuk ka gjë me të shenjtë se jeta, e atë për Kosovën e dhanë hiç më pak se 31 persona nga Shqipëria e që sot janë dëshmorë jo vetëm të Kosovës, por të atdheut.
Misionin e arritën deri në një pikë, Kosovën e çliruan.
“Krejt ata që kanë rënë e janë vra kanë bo këto për një qëllim për një komb, që Kosova edhe Shqipëria të jenë një. ata s’kanë luftuar që Kosova të jetë e ndarë prej Shqipërisë”, ka treguar veterani i UÇK-së.