Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i tronditur nga vrasja e gruas shtatzënë dhe fëmijës së saj të palindur, të mërkurën mbrëma.
Kjo për Szunyog është e papranueshme.
Ai ka shprehur përkrahjen e tij të plotë për marshin e organizuar të enjten e një dhjetorit.
“Jam tmerruar nga vrasja e një gruaje dhe fëmijës së saj të palindur mbrëmë. Ajo ishte gruaja e dytë e vrarë që nga fillimi i fushatës 16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave. Kjo është e papranueshme! Ngushëllimet e mia për familjen dhe mbështetjen e plotë për marshin e organizuar sot nga OSHC-të e grave”, ka shkruar ai në Twitter.
I am horrified by the murder of a woman and her unborn child last night.
She was the second woman killed since the 16 Days of Activism against #VAW campaign began.
This is unacceptable!
My condolences to the families & full support to the march organised today by women CSOs.— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) December 1, 2022
Ndryshe, motra e gruas shtatzënë, e cila u vra të mërkurën në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj, ka bërë të ditur se e ndjera ka qenë vetëm 3 muaj e martuar me të dyshuarin, dhe “ata muaj sa ka qenë e martuar ka qenë pre e dhunës fizike e psiqike nga burri i saj”.
Në gjendje të rëndë emocionale e mes lotësh, Burbuqe Brahimi ka thënë se gjatë kësaj kohe motra e saj ka qenë e keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht.
“Motra ime ka qenë vetëm tre muj e martuar. Na e kemi pa vazhdimisht gjatë atyre muajve se ka pas probleme, jemi shku e kemi nda. Ish-burri ka vazhdu me ardhë edhe të shpija, ne jemi vetëm motra pa prind e vlla, ai i ka thanë ski qa shkon në shpi të babes së nuk e kea askënd. Jena shku se ka pas dhunë, e kanë rre, e kanë malltretu, e kanë shti mrena, me allti i kanë mshu në kry krejt trupin e ka pas të plogësht, krejt e mavit u kanë, se kanë lanë me ardh në Llugagji kurr te shpia e babës ktu, kurr hiq hiq mu bashku me motra”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se i dyshuari kishte kërkuar që fëmija pas lindjes ti kthehet dhe se kanë lajmëruar policinë për këtë rast, por që nuk kanë marrë ndonjë ndihmë.
“Sot në mëngjes ka pas me lind, edhe masi të kish lind femijën ka pas më ja dhanë ish-burrit. E kemi lajmru rastin edhe në Polici ma herët por na kanë thanë keni mbrojtje, po kush kurr su ardhë me kqyr”, ka vijuar ajo.
Ndër të tjera, ajo ka thënë se sa herë ka ardhur për vizitë tek familja e saj ka ardhur me përcjellje nga vjehrra dhe se rasti është lajmëruar në organet përgjegjëse.
Sipas saj, e ndjera i ka thënë burrit që do t’ia dorëzojë fëmijën po sa të lind.
“Edhe se kanë lanë me ardh edhe kur ka ardh ka ardh me përcjellje, me vjehrren e vet, se kanë lanë me ardh vet kurrë hiq. Popo, ka ardh, u sill nëpër sakak a ktu mrena s’ka guxoft me hi, e nëpër sakak po. U kan rasti në Polici, u kan rasti në qendër sociale, në Gjykatë, në krejt i ka pas rastet, i ka thanë që kur të lindë fëmijën ta dorëzoj edhe qekaq u kanë. Tshtunen e kena qu në spital në Gjinekologji edhe i ka thanë doktor Hajrizi që ki me lind, rastin e ki urgjent. Kur e kena qu ata kanë thanë tej për sot ka me lind me operacion”.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj ka thënë se “në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, do të ketë dorëheqje dhe shkarkim” teksa ka shtuar se po të merrej më shumë prokuroria me këtë rast, do të ishte parandaluar kjo vrasje tragjike.