Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në vazhdën e diskutimeve për procesin e dialogut Kosovë-Serbi në margjinat e Komisionit Parlamentar për Stabilizim – Asociim në mes të Kosovës dhe BE-së, ka thënë se “dialogu i cili prodhon fotografi të bukura, nënshkrime pa vlerë në terren” nuk i kontribuon në esencë dialogut.
“Rrjedhimisht për një kohë të gjatë kemi qenë pjesë e dialogut, i cili ka qenë politik e është kamufluar me tema teknike dhe nuk ka krijuar efekte dhe benefite për qytetarët dhe shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri ka thënë se AAK-ja ka vetëm një porosi për Qeverinë e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, “duhet të jetë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme me njohje reciproke”.
Ndër të tjera, ai ka thënë se përkushtimi i Kosovës ndaj agjendës së integrimit evropian tash e sa vite është i palëkundur dhe është i vërtetë dhe ka mbështetjen e AAK-së.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka thënë se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë ka prodhuar paqartësi, teksa ka shtuar se “diskutimet në kuadër të dialogut kanë pasur diskutime teknike”.

“Duhet të krijohet strategji për marrëveshje finale”, ka deklaruar Krasniqi.
Po ashtu, ajo ka thënë se marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Ajo ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për prishje të raporteve me aleatët ndërkombëtarë.
“Nisur nga fakti se shteti i Kosovës gjendet para një momentumi të rëndësishëm, ne si LDK kemi dhënë mbështetjen” gjersa ka shtuar se Kosova ka nevojë për mbështetje nga administrata Biden dhe nga BE-ja, sidomos në këtë kohë kur situata gjeopolitike ka marrë rrjedhë tjetër.