Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se mocioni i mosbesimit i paralajmëruar nga kjo parti, si pasojë e veprimeve të kryeministrit Albin Kurti, në veri të vendit, tashmë është duke u përpiluar.
Tahiri u shpreh se do të diskutojnë me PDK-në dhe LDK-në, të cilat do t’i japin komentet e tyre sa i përket kësaj çështjeje.
Ky veprim i AAK-së ka ardhur pas reagimeve të ashpra të ndërkombëtarëve, sidomos të ShBA-ve, ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, pa u koordinuar me ta.
“Mocionin e kem nisur, e kemi përpiluar, tash do të jetë në diskutim me dy partitë opozitare t’i japin komentet e tyre në draft, është një mocion i cili do të hidhet, të shohim se kur do të vendoset, ka qenë si reflektim i eksperimentimin që e ka bërë kryeministri në atë pjesë të vendit. Kërkesat e ndërkombëtarëve kanë qenë të vazhdueshme”, ka thënë ai.
Tutje, Tahiri tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri kanë qenë eksperimente dhe se zgjedhjet në plan të parë nuk do të duhej të mbaheshin fare, për shkak të mundësisë së eskalimit të situatës.
“Ndodhi ajo që u tha, kryeministri apo qeveria a duhet që prej xhepit të vet të paguajnë për zgjedhje të reja, apo ka qenë eksperiment që nuk i ka sjellë asgjë të mirë Kosovës, që e ka dëmtuar si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe rrafshin ndërkombëtar/ Mësimi i nxjerrë është që për tema për sovranitet dhe për siguri kombëtare duhet të ketë komunikim serioz”, ka thënë ai.
Duke i komentuar kërkesat e Listës Serbe për tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu, Tahiri tha se ajo dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk janë në gjendje ta kushtëzojnë Kosovën.