Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar lidhur me faturat e larta të energjisë elektrike.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka theksuar se kjo është një goditje e re për familjet kosovare dhe se qytetarët po ndiejnë ndikimin e fuqishëm të kësaj situate në xhep.
Ai ka theksuar se pas tre vjetësh të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, shqetësimet e qytetarëve rriten, duke përfshirë inflacionin, varfërinë dhe shtimin e faturave të energjisë elektrike.
Në këtë kontekst, Tahiri ka bërë thirrje për të menduar për kategoritë e punonjësve, duke përfshirë policët, mësuesit, punonjësit e sektorit publik dhe ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura të larta, hasin vështirësi në mbylljen e muajit.
“Në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet “e fuqishme” të kësaj qeverie. Faturat e larta të energjisë janë goditja e radhës për familjet kosovare. Në këtë kohë inflacioni e varfërie, duhet të mendojmë për policët, mësuesit, të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe posaçërisht për ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura, me shumë vështirësi e mbyllnin muajin. Kosova meriton më mirë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), gjithashtu ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me situatën, duke akuzuar KEDS-in për vjedhje të parave të qytetarëve përmes faturave të fryra të energjisë elektrike për muajin dhjetor.
Institucioni ka kërkuar një hetim urgjent nga Prokuroria dhe ka vlerësuar faturat si “jonormale”.