Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se në seancën e së hënës së 28 marsit, ishte hera e parë që një subjekt politik e bllokon themelimin e një komisioni hetimor.
Megjithatë, ndonëse mazhoranca ka tentuar ta pengojë themelimin e këtij komisioni, Tahiri ka paralajmëruar se do të provojnë mënyra të tjera që të realizohet kjo kërkesë.
“Asnjëherë në të kaluarën, asnjë grup parlamentar nuk ka ndodhur të refuzojë hedhjen në dritë mbi çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm që ka mundur të ndodhë nga cilido institucion. Është hera e parë që një parti politike bllokon themelimin e një komisioni hetimor”, është shprehur ai.
Sipas tij, bëhet fjalë për “ndarjen e 200 milionë eurove, mjete këto që kanë shkuar për blerjen e energjisë elektrike”.
“Ne e pamë qartë edhe njëherë tentimin e kësaj mazhorance, tentimin e qeverisë Kurti për ta bllokuar një proces të tillë hetimor që padyshim që nuk do të mund ta ndalojnë sepse kemi instrumente të tjera si grupe parlamentare për ta themeluar këtë komision”, shtoi ai.
Siç potencoi Tahiri, hetimi parlamentar është i rregulluar me ligj, është një instrument i opozitës që përdoret për hedhjen në dritë mbi keqpërdorimet e mundshme.
“Vlen të theksohet që gjatë kësaj periudhe nga institucionet e Kosovës, taksat e qytetarëve, janë shpenzuar mbi 200 milionë euro dhe pikërisht kërkesa e PDK-së dhe partive të tjera opozitare ishte që të hedhet në dritë se si janë menaxhuar, kush ka përfituar nga to”, shtoi ai.
Sipas deputetit të PDK-së, tashmë ka ministra përgjegjës që “kanë kryer vepra penale”.
“Tashmë ka njerëz përgjegjës që kanë abuzuar me pozitat e tyre dhe ky komision do t’i nxjerrë para drejtësisë të gjitha keqpërdorimet, abuzimet, gjatë këtyre tre muajeve me importimin e energjisë elektrike, me pagesën përmes taksave të qytetarëve”, ka thënë Tahiri.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, teksa ka akuzuar shumicën e deputetëve të pushtetit për mosvotim të këtij komisioni, të njëjtit i ka pyetur se kujt po i frikësohen.
“A po frikësoheni që e keni bërë pagesën e rrymës për Veriun e Kosovës. Ne si grup parlamentar nuk e dimë sa kanë paguar për qytetarët e Veriut dhe kanë diskriminuar një kategori të qytetarëve. A po frikësoheni që po del fakti që jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që kemi shpallur gjendje emergjente në raport me energjeninë”, ka pyetur Tahiri.
Ndërkaq, grupi parlamentar i PDK-së, të hënën e 28 marsit kishte hedhur në propozim themelimin e një komisioni parlamentar që do të hetontë të gjitha angazhimet, punën, vendimet e qeverisë, vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të KOSTT-it, që janë ndërmarrë gjatë krizës energjetike.
Por, Komisioni për Hetimin e menaxhimit të krizës energjetike nuk ëhstë miratuar nga deputetët në Kuvendin e Kosovës.
Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi themelimi i këtij komisioni.