Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se strukturat joformale parapolitike janë vendimmarrëse në Qeverinë Kurti, duke u shprehur se ato po vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës.
Sipas Tahirit, nëpërmjet pazareve po mundohet që paraja publike dhe korrupsioni të instalohet si e mirë publike.
“Të gjitha veprimet e njëpasnjëshme janë duke shpërfaqur që kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me mashtrim. Kosova ka ardhur në një stad ku struktura joformale po diskutojnë se kur duhet të ndalet rryma e kur jo. Është e papranueshme që parapolitika të ketë në dorë secilën ministri e ndërmarrje publike”, është shprehur deputeti i AAK-së.
Sipas Tahirit, është me rëndësi të diskutohet për shlyerjen e borxheve të ambalazhuesve.
“Nuk duhet të jetë asnjë paqartësi se mbi çfarë baze është përllogaritur e shlyer borxhi. Ne jemi në muajt e fundit të këtij Kuvend”, ka thënë ai, duke akuzuar pushtetin se s’po del të ballafaqohet në Kuvendit pasi “s’ka argumente”.
“Turpi do të iu mbulojë. E vërteta do të triumfojë. E 9 shkurti do të jetë dita e gjykimit të tyre”, tha ai.