Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, gjatë seancës së sotme, para foltores ka dalë me një kapelë. Me kapela kanë shkuar edhe deputetët e tjerë të PDK’së. Ata i kanë vendosur kapelet në mikrofonët e tyre. Kjo në shenjë aksioni ndaj bisedave që u publikuan mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasnqit, ku Mihali i thotë Krasniqit “a po vjen te ne… me kapelë”.
Tahiri ka thënë se është e lehtë të fshihesh pas një kapele, por “do të dalin të gjitha”.
Deputeti i PDK-së tutje ka pasur kritika për RTK-në, e cila nuk po e transmeton seancën e jashtëzakonshme, duke thënë se po tentohet të shuhet zëri opozitar.
“Para se të flas për kapelat, po e ngre një çështje tjetër. Vendosa ta shoh a është duke e transmetuar RTK-ja live këtë seancë. Por RTK-ja qenka duke e transmetuar një konferencë të kryeministrit Kurti me viktimat e dhunës seksuale, kjo nuk ka ndodhur kurrë. Ky është krim dhe kjo është tendencë me e mbyt zërin opozitar, ata që i denoncojnë krimet. Me ju fol në Kuvend këtyre kapelave është si me fol për deputetët e VV-së. Këta kanë vendosur të jenë si këto kapela. Këta janë të shkretë. Përmes këtyre kapelave të zeza që na i nxori në pah Dejona, këta janë munduar të mbulojnë shumë krime. Janë munduar të mbulojnë krimin e faljes së borxheve që shkon deri në 20 milionë euro… këta kanë vendosur ta mbulojnë krimin edhe në rezerva shtetërore. Më së lehti është ta vendosësh një kapele dhe të fshihesh por do të dalin të gjitha”, ka thënë ai.
Tahiri ka paralajmëruar pushtetin se 9 shkurti (dita e zgjedhjeve) do t’ua heqë kapelën.
“Do të jetë situatë e re në vendin tonë”, ka shtuar ai.
“Mesazhet e Dejona Mihalit e nxjerrin në pah më së miri kriminalitetin e vendit tonë. Në dorë të kujt e kemi sistemin energjetik, kush vendose kur me u ble rryma, kur me u ndalë e kur me u lëshu. Kam përshtypjen se nuk e dimë saktë se kush po na udhëheqë. Ai Naser Hafizi del që për një vit i ka qarkulluar 400 mijë euro. Paramendo sa naser hafiza i kemi ne që nuk i dimë. Kriminaliteti duket te jetë përtej asaj që po e shohim”, ka përfunduar Tahiri.