Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e kishte quajtur antiserb ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke thënë se ai njihet për deklarata kundër serbëve.
Kjo pasi ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde kishte thënë që barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen deri në krishtlindje.
E në lidhje me këtë, Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se Vuçiqi u shpreh i mllefosur ndaj Gjermanisë dje, “sepse iluzionet e tij për dominimin e Ballkanit përfundimisht u shuan nga Gjermania, pasi sipas saj, Gjermania vuri në qendër Ballkanin Perëndimor ndërsa rrëzoi Ballkanin e Hapur”.
Ndryshe, që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.
Të njëjtat barrikada vazhdojnë të qëndrojnë ende të palëkundura përkundër thirrjeve të ndërkombëtare që ato të hiqen menjëherë.