Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqjen e ministres, Rozeta Hajdari.
Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka reaguar pas bastisjes së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe arrestimit të tre personave për dyshime të keqpërdorimeve në rezervat shtetërore të shtetit.
Tahiri thotë se Hajdari lidhet me rastin me vetë nënshkrimin e saj.
“Arrestimet e sotme vijnë si rezultat i punës së mediave dhe policisë së Kosovës. Andaj, në funksion të mundësimit të një hetimi të plotë dhe ku Qeveria nuk shihet si pengesë, po sot do të duhej të kishim shkarkim të ministres, Hajdari. Fundja, i gjithë ky rast i abuzimit me mjete shtetërore dhe me ligjin, asocohet me emrin dhe nënshkrimin e saj, përderisa sekseri për këtë skandal korruptiv u lidh drejtpërdrejt me emrin e kryeministrit Kurtit.”, ka deklaruar Tahiri.
Është arrestuar Ridvan Muharremi, pronari i lokalit “Bukë e zemër”, i dyshuar për keqpërdorime të rezervave shtetërore të Kosovës. Së bashku me të janë shoqëruar në polici edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Mëngjesin e së premtes, Policia e Kosovës ka bastisur lokalin dhe banesën e Muharremit.
Bastisja e pronave të Muharremit nisi në orën 6:00 të mëngjesit për të vazhduar më pas në bastisjen e ambienteve të MINT-it në orën 8:00.
Në polici janë shoqëruar drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica.
Gara është shoqëruar në polici nga ambientet e MINT-it.
Disa zyrtarë policorë së bashku më disa dokumente që janë marrë brenda zyrave janë larguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.