Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka kritikuar ashpër Shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të një incizimi të ri të bisedës mes saj dhe kryekriminelit Milan Radojiçiq.
Tahiri theksoi se qytetarët e Kosovës meritojnë të dinë detaje për kushtet e negociatave me Radojiçiqin.
“Cili ka qenë pazari i këtij negocimi? Nuk flitet për ligje që kanë të bëjnë me komunitetet, por për një ligj që prek secilin njeri, siç është ai për pagën minimale dhe veteranët e UÇK-së. Ky koordinim është një thikë pas shpine ndaj demokracisë së Kosovës,” tha ai.
Ai gjithashtu përmendi se që nga nisja e kësaj legjislature, qeveria ka thënë se nuk do të ketë koalicion me Listën Serbe, por tani përgjimet tregojnë se një marrëveshje e thellë është arritur.
“Kjo qeveri nuk ka etikë politike. Po të kishte, do të fliste për nevojat e qytetarëve. Disa duhet të dorëhiqen për këtë situatë,” u shpreh Tahiri.
Duke iu drejtuar Kusari-Lilës, ai theksoi se populli di të vërtetën për Ramush Haradinajn dhe e njeh mirë rolin e tij, duke e sfiduar që të mos ofrojë moral në këtë kontekst.