Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se Kosova nuk do të heqë dorë nga njohja e Serbisë, ndonëse këtë, sipas tij, e kanë bërë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
“Kosova nuk ka hequr dorë nga njohja, por ka hequr dorë kryeministri Albin Kurti. Ne nuk do të heqim dorë nga dështimet e liderëve, siç është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Ne nuk heqim dorë nga një njohje e tillë që pastaj do t’i hapë rrugën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri, raporton EO.
Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se qytetarëve serbë në Kosovë po u imponohet vullneti i Beogradit, mirëpo se “Kushtetutshmëria e Kosovës është ajo që duhet të ketë rëndësi”.
“Është krejt e parëndësishme çka thotë Vuçiqi për Kosovën. Është shumë e rëndësishme Kushtetutshmëria e Kosovës. Te ne nuk mund të imponohet vullneti i Beogradit. Qytetarët që jetojnë në Kosovë janë peng i politikave të Beogradit, ata nuk guxojnë të jetojnë në shoqëri multietnike, ata janë të frikësuar nga politikat e Beogradit, qoftë në mosmarrjen e targave kosovare, pastaj frika për t’u integruar në shoqëri multietnike”, ka thënë Tahiri.
Ai ka informuar edhe për punën e komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore, ku është edhe kryetar.
“Dje përfundimisht ka votuar komisioni për reformën zgjedhore. Gjatë gjithë kohës, zgjedhjet në Kosovës janë monitoruar nga vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe duhet të adresohen të gjitha rekomandimet. Ka pasur edhe propozime të partive politike, të cilat të gjitha bashkë janë drejtuar në mënyrë unanime. Gjatë këtij procesi kemi pasur bashkëpunim të mirë me zyrën e Bashkimit Evropian, Ambasadën Amerikane, Ambasadën e Mbretërive të Bashkuara”./EO.