Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar krerët e shtetit sa i përket vizitave të tyre jashtë vendit.
Tahiri ka thënë se është e pabesueshme të shihet se si krerët e shtetit shkojnë në konferenca ndërkombëtare, në takime në shtete të ndryshme, në vizita bilaterale që janë të pakta, “dhe për çudi e habi, nuk ka asnjë efekt, asnjë projekt, asnjë benifit për qytetarët e Kosovës”.
“Kryeministri ishte tri javë në Amerikë, premtoi investime e korporata, por nuk ndodhi asgjë. Nuk po ndodh, tash e dy vjet asgjë, koha kur një lider i shtetit del në një fotografi dhe tregon që takoi dikë, është kohë e tejkaluar”, ka thënë Tahiri.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së ka shtuar se “Secili prej nesh, ka një kohë të gjatë që e organizon një takim e bënë një fotografi, e merr një buzëqeshje e edhe një shtrëngim dore, por çka po merr qytetari i Kosovës”.
“Për dy vite, qytetari i Kosovës po merr vetëm fjalë, premtime boshe dhe reflektim se çka ka ndodhë qe 20 vjet. E pabesueshme, por e vërtetë!”, ka theksuar tutje Besnik Tahiri.