Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se po të shkohej në zgjedhje të parakohshme, opozita do zhukej.
Tahiri tha se kryeministri Kurti gjatë konferencës ka pasur më shumë mllef ndaj opozitës shqiptare sesa ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Po ashtu, ai ka kritikuar Kurtin duke thënë se e kishte harruar arsyen e thirrjes së konferencës.
“Albin Kurti sot tha se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, zhduket opozita në Kosovë. Më shumë pati mllef ndaj opozitës shqiptare se ndaj presidentit serb. Harroi se ka thirrur konferencë për negociatat me Serbinë dhe jo për ta sulmuar opozitën. Mbase këtë e kanë mësuar gjatë koordinimeve me Radojçiqin”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Kurti gjatë konferencës për media i është kundërpërgjigjur me ironi kërkesave të partive opozitare për zgjedhje të parakohshme.
Ai kishte deklaruar se zgjedhjet nuk i konvenojnë as Qeverisë së Kosovës dhe as opozitës, dhe se ai është i interesuar t’i mundë në zgjedhje partitë opozitare e jo t’i zhdukë ato.
Kurti la të nënkuptonte se, sipas tij, në rast të zgjedhjeve të parakohshme rezultati pro partisë së tij do jetë edhe më i thellë.
Po ashtu edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit Kurti duke i thënë se “mendon që keni fuqi me zhdukë gjithçka dhe secilin që nuk pajtohet me ju”.
Sipas saj, kryeministri Kurti të njëjtën gjë synon edhe për mediat, shoqërinë civile, bizneset dhe Prokurorinë.
“Përgjigjen e parë e keni marrë në zgjedhjet lokale më 2021. Përgjigjen e dytë do ta merrni kur të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Shpejt”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.