Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me aleatët ndërkombëtarë.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se situata është keq për Kosovën, pasi siç thotë ajo, ka ndëshkim pas ndëshkimi.
Sipas saj, kryeministri Kurti duhet t’i lërë “ankesat” e “t’i heqë arsyet” që siç thotë ajo, sollën ndëshkimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).
“Ndëshkim pas ndëshkimi – keq për Kosovën! Kurti t’i lërë ankesat por t’i heqë arsyet që sollën ndëshkime nga Amerika dhe Bashkimi Evropian”, ka shkruar Tahiri.
Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.