Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka ngritur shqetësimin për fenomenin e emigrimit të qytetarëve të Kosovës gjatë qeverisjes katërvjeçare të kryeministrit Albin Kurti.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka theksuar se gjatë periudhës 2021-2023, sipas organizatës GAP, rreth 130 mijë qytetarë kanë lëshuar Kosovën, duke e përshkruar këtë si një ndër problemet më të mëdha me të cilat po përballet vendi.
“Fenomeni më i dhimbshëm që më së shumti e ka goditur Kosovën gjatë kësaj periudhe të kësaj qeverisje është emigrimi i qytetarëve të Kosovës, shprazja e Kosovës. Bazuar në statistika gjatë katër viteve nga viti 2021 e 2022, nga organizata GAP, del që rreth 50 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën brenda viti për tri vite radhazi, pra… rreth 130 mijë punëtorë e kanë lëshuar Kosovën”, ka deklaruar Tahiri.
Ai gjithashtu ka përmendur disa statistika shqetësuese për numrin e shtëpive të pabanuara në komuna të ndryshme të Kosovës.
“41 për qind e shtëpive në Istog janë të pabanuara, Klina i ka 40, Lipjani 30 për qind e kështu me radhë dhe mbi 35 për qind në krejt Kosovën janë të pabanuara”, ka theksuar Tahiri.
Po ashtu, ai në debatin parlamentar për katër vjetët e Qeverisë, ka thënë se Kurti po e lë Kosovën pa asnjë projekt të tij.