Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se asnjë nga 64 amendamentet e ligjit për buxhet nuk do të miratohet.
Ai e ka cilësuar këtë dokument si puro politik të një partie, që, sipas tij, e shfrytëzon buxhetin e Kosovës për përfitime partiake.
Kabinetin qeveritar, Tahiri e quan si të paaftë për të ushtruar funksionin e tij.
“Ky ligj i ka 64 amandamente, prej tyre asnjë nuk do të miratohet. Jemi duke folur për një dokument puro politik të një partie politike, që e shfrytëzon buxhetin e qytetarëve të Kosovës për përfitime partiake në kurrizin e deputetëve. Po flasim për një kabinet qeveritar, i cili është i paaftë të ushtrojë funksionin e vet kushtetues dhe qeverisës”, u shpreh Tahiri gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, ai konsideron se sektori privat është para kolapsit, teksa shton se nëse nuk dyfishohet investimi kapital, Kosova është drejt bankrotimit.
“Ekonomia kurrë më keq nuk ka qenë në Kosovë. Sektori privat është para kolapsit. Nëse në vitin 2024 nuk e dyfishoni investimin kapital, Kosova do të bankrotojë. Shfrytëzoj rastin t’ia uroj edhe babadimrit vitin e ri, e iu rrit ndera që na ka dhënë nga 100 euro”, tha ai.
Sipas tij, mbi 1 mijë e 700 projekte kapitale të vitit 2023 ende nuk kanë filluar.
“Ministria e Mjedisit nuk ka arritur deri në shtator të nisë 167 projekte. Ministria e Kulturës 165. Ministria e Arsimit 43. Ministria e Financave 35. Ministria e Pushtetit Lokal 31. Ministria e Punëve të Brendshme 27. Ministria e Shëndetësisë 18 projekte. Ministria e Drejtësisë 18. Ministria e Bujqësisë 14. Ministria e Zhvillimit Rajonal 11. Ministria e Ekonomisë 9. Ministria e Punëve të Jashtme 9”.