Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se ndëshkimi amerikan po i kushton Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se udhëheqësit e vendit janë “ngujuar në shtëpi”, teksa të njëjtit shkojnë nëpër takime duke bërë thirrje që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ajo këtë e cilëson si një “rënie të shëmtuar” të diplomacisë së Kosovës.
“Ndëshkimi amerikan kushton! Treshja e shtetit e ngujuar në shtëpi, tash vrap pas ftesave të takimeve rajonale, madje duke shkuar dy tre në të njëjtin takim, duke lutur të hiqen sanksionet ndaj Kosovës…rënie e shëmtuar e diplomacisë së Kosovës”, ka shkruar Tahiri.