Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Kuvendi duhet ta intensifikojë dinamikën e punës dhe të trajtojë çështje madhore, duke filluar nga dialogu e deri te gjendja sociale e ekonomike në vend.
“Çështjet madhore janë duke na pritur në derë, çështja e marrëveshjes, mbi të gjitha duke e përfshirë gjendjen sociale, ekonomike në vend”, ka thënë Tahiri.
Në vigjilje të 2-vjetorit të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Tahiri ka thënë se për dy vjet ka vetëm fjalë, asnjë punë.
“I humbëm dy vjet, nesër është 14 shkurti, dy vjet nga fitorja e Vetëvendosje, dy vjet ka vetëm fjalë dhe nuk ka asnjë punë”.
Ndërsa i pyetur për ligjin për Byronë Shtetërore, ai ka thënë se duhet të trajtohet aspekti juridik i këtij ligji sepse ka mangësi, teksa ka shtuar se AAK e përkrah atë se secili që ka pasuri të pajustifikueshme duhet të trajtohet nga organet e rendit.
Ai ka thënë se VV-ja e ka përdorur këtë ligj për të përçuar mesazhe politike.
“E ka përdour të përçojë mesazhe politike, s’ka të bëjë me iniciativë kundër korrupsionit, por që të ngrijë flamurin kinse ne luftojmë personat që bëjnë korrupsion”, ka vijuar Tahiri.
Ndryshe, të martën e 14 shkurtit, bëhen 2 vjet qëkur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka ardhur në pushtet.