Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka thënë se është e qartë që Serbia do ta njohë Kosovën, pasi ndryshe nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
E ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Tahiri ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet të insistojë fare për nënshkrimin e marrëveshjes.
“Fare nuk duhet insistuar për nënshkrim. Pse? Kurti ishte në tavolinë, negocioi, ka mundur të mos e pranojë marrëveshjen pa nënshkrim, dështim i Kurtit, e njëjta në Ohër. Tanimë është e qartë që Serbia do ta njohë Kosovën… Serbia nuk hyn në BE pa e njohur Kosovën… Vetëm nëse ndodh një ndryshim, nëse BE-ja merr mend dhe do që të mos e lë Ballkanin në gojën e ujkut, Putinit e Vuçiqit, Rusisë e Serbisë, nëse BE-ja unifikohet dhe përshpejton integrimin e gjashtë vendeve, por edhe NATO-ja po ndryshon mendimin, nëse na ndodh që NATO-ja dhe BE-ja vendosin në një afat zgjerimi për X vite, atë ditë që ndodh kjo Vuçiqin nuk e pyet askush, përveç se nëse nuk dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Albini fare nuk është mirë ta harxhojë veten e as opinionin, Kurti e di vetë që njohja vjen në ditën kur BE-ja hap dyert, Serbia nuk hyn pa e njohur”, u shpreh ajo.
Sipas saj, draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe nuk është objekt shqyrtimi dhe, siç thotë ajo, për të qenë i tillë duhet të kalojë në parlament në mënyrë që të fitojë statusin juridik.