Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në lidhje me arrestimin e drejtorit të KEK-ut ka thënë se është një “megaskandal”.
Ai në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës e ka kritikuar edhe veprimin e Qeverisë, të cilin e ka quajtur orkestrues në lidhje me mbrojtjen e këtij rasti.
“Megaskandali i djeshëm në KEK dhe veprimi i orkestruar i mbrojtjes para se të dihet as për çfarë është hetimi tregon qartë panikun e madh që e ka kjo Qeveri në raport me këto afera korruptive. Sulmet që dje u janë bërë organeve të pavarura të drejtësisë, tregojnë për një alarm që është në Qeveri”, ka thënë Tahiri.
Ai i është drejtuar Qeverisë duke i thënë të mos mbrohet ky rast sikurse rasti i ambasadorit, Martin Berishajt.
“Kërkesa ime është mos e mbroni siç e keni mbrojtur Martin Berishaj”.
Ndryshe, të mërkurën, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka njoftuar se drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar nga Prokuroria Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.