“Turpin ndaj veteranëve, Albin Kurti nuk mund ta lajë me vizita nëpër varrezat e dëshmorëve”.
Kështu është shprehur përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në nder të Ditës së Paqes, ka vizituar varret e figurave hsitorike të vendit.
Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së ka theksuar se “kjo sjellje prej lavjerrësi e kryeministrit Kurti, i cili sot paturpësisht viziton varrezat e dëshmorëve, përderisa injoron mijëra veteranë që kanë derdhur gjak e djersë pranë atyre që u përjetësuan, është asgjë më shumë se një dyfytyrësi”.
Sipas Tahirit, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, me vetëdije të plotë “po përpiqet” që të shkëpusë kujtimin dhe nderimin e sakrificës së burrave dhe grave që dhanë jetën për liri.
“Ai, ka kohë që e ka shpërfillur lavdinë dhe sakrificën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa tash që është në pushtet, këtë shpërfillje është duke e manifestuar edhe zyrtarisht”, shtoi Tahiri.
Deputeti i partisë më të madhe opozitare, teksa ka përmendur edhe ligjin që përcakton pagën minimale, ka thënë se me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri, Kurti “është duke u përpjekur të lëkundë themelet e dinjitetit të këtyre burrave e grave që kanë lënë gjymtyrët nëpër çdo cep të Kosovës”.
“Me këtë veprim, Kurti jo vetëm që është duke bërë padrejtësi ndaj më meritorëve për liri, por edhe duke u përpjekur të tjetërsojë të vërtetën historike mbi të cilën qëndron themeli i lirisë dhe pavarësisë sonë”.
“Sepse këta veteranë, nuk janë të atij rangu për t’u trajtuar si barrë për këtë shoqëri, por si patriotë që meritojnë respektin e plotë të secilit prej nesh dhe veçmas qeverisë, respekt të cilin qeveria dhe ky kryeministër nuk mund ta blejë, por gabon rëndë nëse mendon se mund ta injorojë”.
Tahiri, vendimet dhe veprimet e të parit të ekzekutivit i ka quajtur të papërgjegjshme dhe absurde.
“Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve, është jo veç absurde, por edhe e pafalshme. Deficitet patriotike të Albin Kurtit, nuk mund të shërbejnë për larje hesapesh me ata që i kanë dalë zot vendit kur është dashtë më së shumti”, ka thënë ai.
Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Sadriu dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 23-vjetorit të vendosjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
“Duke falënderuar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, i cili mbi të gjitha, e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës duke ndërtuar ura miqësie që i shërbejnë vullnetit të Kosovës për të ecur përpara”, ka thënë Osmani.
Ndër të tjera, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi Rugovën si një intelektual dhe racionalist të shquar, të karakterizuar me një humanitet dhe qetësi në politikë. Kurti ka përmendur edhe angazhimet e institucioneve të Kosovës ndaj krimeve të Serbisë gjatë kohës së luftës.
“Ne nuk e harrojmë kurrë të kaluarën. Do të insistojmë e do të angazhohemi për drejtësi për të gjitha vuajtjet dhe humbjet e Kosovës”, ka thënë Kurti, gjersa ka shtuar se “populli i Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe si i tillë, e ka të sigurt një të ardhme të mirë”.
Osmani dhe Kurti kanë bërë homazhe edhe te varri i veprimtarit, Adem Demaçi.
Të dielën e 12 qershorit, janë shënuar 23 vjet nga vendosja e 50 mijë ushtarëve të NATO-s në Kosovë dhe bashkë me ta, edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.