Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka thënë se Ligjit për Zyrtarë Publikë dhe Ligjit për Paga u kanë mbetur edhe dy ditë për adresim në Gjykatën Kushtetuese, dhe ka shtuar se Ligjin e Pagave AAK-ja nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese derisa nuk kuptohet rroga e një zyrtari publik.
“Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit të Pagave u kanë mbetur edhe dy ditë për adresim në Gjykatën Kushtetuese. Ligjin e Pagave, AAK-ja nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese derisa nuk dihet vlera e koeficientit, pra derisa nuk kuptohet sa është rroga e një zyrtari publik”, ka shkruar Tahiri, duke shtuar se ky ligj nuk duhet të kthehet nga pika zero sepse prodhon pasoja të pariparueshme.
“Ky ligj, nuk duhet, edhe një herë të kthehet në pikën zero, pasi rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme, por duhet gjithsesi të kontestohen në Gjykatë së paku dy probleme: 1) ulja e pagave në Sistemin e Gjyqësorit dhe 2) diskriminimi i administratës publike i komunave në raport me rritjen e pagave dhe kategorizimin e të emëruarve politikë. Të dy pikat janë çështje serioze për Gjykatën Kushtetuese”, ka shtuar Tahiri në postimin e tij.
Ndërsa, ka thënë se Ligji për Zyrtarët Publikë duhet të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe një gjë të tillë e mbështet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Ligji për Zyrtarët Publikë duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese tash, pasi i njëjti vendos kontrollin partiak mbi administratën, duke rrezikuar në plotësi reformat, me shpërfillje ndaj komenteve të SIGMA-së dhe BE-së. Me këtë rast, AAK është në koordinim dhe i bashkohemi bllokut opozitar për të ngritur çështje kushtetuese, e për ta kthyer në binarë këtë proces”, ka përfunduar në postimin e tij në Facebook, deputeti Besnik Tahiri.