Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), Besnik Tahiri ka thënë se të mërkurën, Qeveria e Kosovës ka prishur vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave në sistem të drejtësisë duke theksuar se një veprim i tillë, u bë në mënyrë kundërkushtetuese.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se ironia qëndron në faktin se Qeveria si organ politik me një vendim administrativ shfuqizon një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë e bën në emër të rivendosjes së ligjshmërisë.
“Sot, Qeveria prishi vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave në sistem të drejtësisë. Kjo u bë në mënyrë kundërkushtetuese, sepse vendimi Qeverisë Haradinaj me një vendim të Gjykatës Kushtetuese ngeli në fuqi. Për pasojë, më nuk bëhet fjalë për vendim të Qeverisë Haradinaj, por për vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të ndryshohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, apo me amandament kushtetues të përfaqësuesit të sovranit të Kosovës. Për të qenë ironia më e madhe, ky vendim antikushtetues që shfuqizojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese bëhet në emër të kthimit të ligjshmërisë në vend! Imagjinoni, Qeveria si organ politik me një vendim administrativ shfuqizon një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë e bën në emër të rivendosjes së ligjshmërisë”, ka shkruar Tahiri.
Krahas kësaj, ai ka thënë se bazuar në fjalët e Komisionit të Venecias, ulja e pagave në mënyrë arbitrare dhe pa provuar se vendi gjendet në krizë të rëndë ekonomike dhe financiare, përbën ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë.
“Ekziston një praktikë e Komisionit të Venecias dhe një standard kushetetues që thotë se pagat e sistemit të drejtësisë mund të ulen vetëm në rast të një krize e recesioni të rëndë ekononik e financiar, të vlerësuar gjërësisht nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm. Në Kosovë, ky nuk është rasti! Së paku jo për momentin! Këtë që e thotë Komisioni i Venecias, e gjejmë jo rrallë në dispozita kushtetuese të vendeve ish-komuniste, si një garanci kushtetuese. Përtej kësaj, Komisisioni i Venecias ka thënë se ulja e pagave në mënyrë arbitrare dhe pa provuar se vendi gjendet në krizë të rëndë ekonomike dhe financiare, përbën ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, në emër të AAK-së, Tahiri ka bërë thirrje te deputetët dhe te Avokati Popullit që këtë vendim arbitrar dhe hakmarrës ndaj sistemit të drejtësisë ta dërgojnë në Gkykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe rivendosjen e kushtetutshmërisë në punën e sistemit të drejtësisë.
Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin e nxjerrë në vitin 2017 nga kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Qeveria ka shfuqizuar disa nene të vendimit të ish-Qeverisë Haradinaj, i cili kishte rënë ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“… me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra, para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, tha kryeministri Kurti.