Tahiri për qeverisjen Kurti: Kosova në udhëkryq dhe pa vizion

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në ditën e parë të vitit të dytë me qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se qytetari i Kosovës, është më i pasigurt dhe më i pa shpresë.

Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka deklaruar se kjo qeveri ballafaqohet edhe me mungesën e planeve.

“Deklaratat populliste u treten si fluska, kapja, ç’ kapja, avancuan në deklarime qesharake për punësime, shkarkime e ngarkime, me filtera e bojlera, pa ndonjë rezultat. Një vit pas, Kosova është në udhëkryq pa vizion, e qytetari më i varfër”, ka shkruar Tahiri.

Deputeti i AAK-së ka thënë se parulla e Qeverisë Kurti, e cila ishte “Krejt dhe Drejt”, konfirmon mungesën e një plani të qartë, që, sipas tij është “vetë plani i stagnimit”.

“Institucionet e pavarura dhe ato qeveritare, kanë vendosur kriter ç’kapje e profesionalizmi, mbishkrimin e rrjeteve sociale ‘Krejt dhe Drejt’”, është shprehur Tahiri.

Ai, po ashtu, ka përmendur rritjet e çmimeve për disa sektorë që janë shënuar gjatë qeverisjes njëvjeçare të Kurtit.

“Energjia të rritet 100% në kurriz të qytetarit, derivatet dhe secili produkt ushqimor është rritur në nivele të pakrahasueshme, përderisa paga në sektorin publik e privat ka mbetur e njëjtë, inflacioni ka zbritur e devalvuar vlerën e pagës, e qytetari është vënë në pasiguri e panik”, ka shtuar ai.

Sa i përket rrafshit ndërkombëtar, siç potencon Tahiri, Kosova me komunikim “të gabuar” dhe “mosbesueshmëri” ndaj partnerëve i ka ulur kredencialet.

“Raporti me ShBA është dëmtuar dukshëm, ndërsa pozicioni ynë me vendet e BE-së është në pikën më të ulët që ka qenë ndonjëherë”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, arritja e marrëveshjes finale me Serbinë, dialogu në tryezën e Brukselit që duhet të përmbyllet me njohje, “duket i paqartë”.

Ndërkohë, ai ka përmendur vetëm një punë të cilën e konsideron si të kryer nga Qeveria Kurti.

“Nëse pyet dikush cila është puna e vetme e mirë e kësaj Qeverie, lehtësisht e dimë se është krijimi i Fondit të Sigurisë”.

Një vit nga krijimi i Qeverisë së re

Krijimit të Qeverisë së re në Kosovë i kishte paraprirë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Në krye të institucionit ligjvënës ishte zgjedhur Glauk Konjufca.

Pas tij, ishin zgjedhur edhe pesë nënkryetarë, përkatësisht, Saranda Bogujevci nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurse nga komuniteti serb ishin zgjedhur, Sllavko Simiq dhe Bekim Arifi nga komunitetet joserbe.

Pas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, më 22 mars të vitit 2021, me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, kuvendi pati zgjedhur qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Qeveria Kurti përbëhet prej tre zëvendëskyreministrave dhe prej 15 ministrive, pesë prej këtyre ministrive udhëhiqen nga gratë.

Menjëherë pas zgjedhjes së kryeministrit, partitë opozitare si: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishin lëshuar sallën plenare.

Ndërkaq, para votimit të qeverisë, në ekspozenë e prezentuar nga vetë Kurti, sipas tij, sfida kryesore e institucioneve të Kosovës ishte përballja me pandeminë COVID-19.

Disa nga prioritetet themelore të tij janë rritja e buxhetit për shëndetësinë, dialogu me Serbinë, zbardhja e fatit të të pagjeturve, procesi i vettingut në drejtësi, ekonomia e fokusuar në prodhim e të tjera.

Ndërkaq, në zgjedhjet e 14 shkurtit, LVV e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit.

Ndërkohë, PDK ka 19 deputetë duke lënë pas LDK-në me 15 deputetë dhe AAK-në me tetë deputetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i kishte siguruar dhjetë ulëse.

Dy ulëse i kishte fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse partitë boshnjake, Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Pas votimit të Qeverisë, më katër prill të vitit 2021, ishte zgjedhur edhe presidentja e Kosovës. Me 71 vota pro, kuvendi pati zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes me mandat pesëvjeçar.

Osmani, për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e LVV-së, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.

Ndonëse në seancë nuk kishin marrë pjesë deputetët e PDK-së, AAK-së dhe ata të Listes Serbe, kuorumin për zgjedhjen e presidentes e pati mundësuar ish-partia e saj, LDK.

Në adresimin e saj të parë si presidente, Osmani para deputetëve kishte thënë se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.

Ajo tashmë ishte bërë gruaja e dytë që mban postin e presidentit.

Po ashtu, ajo në zgjedhjet e 14 shkurtit siguroi mbi 300 mijë vota.

Madje, Osmani, që nga nëntori i vitit 2020, ishte ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës. Kjo, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika