Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se ndërkohë që kryeministri Albin Kurti alarmon për rrezikun nga ushtria serbe, FSK-ja po përballet me probleme të shërbimit të ushqimit.
Tahiri e cilësoi këtë gjendje si të papranueshme dhe të dëmshme, duke theksuar se Ushtria e Kosovës është simbol i krenarisë për çdo qytetar.
“Derisa kryeministri Kurti alarmon për rrezikun që vjen nga ushtria serbe dhe provokimet e tyre në distancën prej 50 metra nga vija kufitare e shtetit tonë, nga ana tjetër, komandanti i FSK-së paralajmëroi se problemet e shërbimit të ushqimit si dhe mungesa e personelit mund të qojnë në pezullimin e aktiviteteve të saj”, ka theksuar ai.
Ai deklaroi se FSK-ja nuk duhet të vihet në situata të tilla për shkak të paaftësisë së qeverisë aktuale.
“Kjo gjendje është jo vetëm shqetësuese, por e papranueshme. Ushtria e Kosovës është krenaria e secilit qytetar dhe nuk duhet të neglizhohet e as të vihet në situata të tilla për shkak të paaftësisë së një qeverie,” ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai theksoi se vetëm disa javë na ndajnë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat, sipas tij, do të mundësojnë rikthimin e një qeverie të udhëhequr nga Bedri Hamza, e cila do të merret me sanimin e dëmeve dhe pasojave të shkaktuara deri tani.