Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Këtë e bëri sot gjatë seancës së sotme solemne për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
“Kur e kujtojmë Epopenë e Adem Jasharit, nuk mund të harrojmë edhe bashkëluftëtarët e tij që sot janë në Hagë duke bërë betejën e radhës për Kosovën. Presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin dhe të tjerët, që sot janë në betejën për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së”, ka thënë ai.
Tahiri është shprehur që ata po e mbrojnë drejtësinë e UÇK-së të komandantit Adem Jashari, po e mbrojnë sakrificën e Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë në luftën tonë.
Kujtojmë që më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë.