Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se me kërkesë të partisë së tij do të mbahet debat parlamentar për punën 2-vjeçare të Qeverisë.
Ai ka kritikuar punën që ka bërë Qeveria Kurti në dy vjet qeverisje.
Sipas tij, nuk ka pasur asnjë veprim, pos fjalëve.
Tahiri ka përmendur një urë në Istog, duke thënë se pos asaj, nuk ka investim tjetër në dy vjetët e fundit.
“Nëse më pyet dikush cili është suksesi i Qeverisë Kurti në 2 vjet, besoni nuk di çka them. Nuk e di një rrugë, përveç një ure në Istog, në fshatin e deputetit Bekë Berisha, një 2-3 metra që është, nuk di asnjë investim kapital, asnjë fabrikë, asnjë punë”, ka deklaruar Tahiri.
“Me kërkesë të AAK-së u miratua që në 2-vjetorin e qeverisë Kurti të ketë debat parlamentar për punën e Qeverisë. Për ne brenga kryesore është gjendja sociale, ekonomike, papunësia, humbja e shpresës dhe ikja e rinisë. Për dy vjet ka pasur fjalë, premtime, zotime, por nuk ka pasur asnjë veprim të mirëfilltë të këtij vendi”, ka vijuar ai.
Tahiri ka thënë se as Ligji për Paga nuk u ka krijuar kushte punëtorëve të administratës shtetërore, as paga minimale në sektorin privat nuk është askund dhe se reforma në sektorin social, ndihma për pensionistë “nuk kanë ndodhur dhe nuk ka ndodhur asgjë tjetër”.