Tahiri: Qeveria Kurti po shkatërron shtresën e mesme

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, se po shkatërron shtresën e mesme të qytetarëve

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, se po shkatërron shtresën e mesme të qytetarëve.

Këtë Tahiri e ka argumentuar duke listuar tri arsyet që, sipas tij, qytetarët po trajtohen vetëm si pagues të taksave dhe po privohen nga çfarëdo përfitimi që indirekt rrjedh pikërisht prej këtyre taksave.

“Qeveria Kurti e ka vendosur në shënjestër shtresën e mesme të qytetarëve të Kosovës. Nuk po lë gurë pa lëvizur, që këtë shtresë ta dobësojë ose mundësisht ta eliminojë si të tillë.”, ka thënë Tahiri.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë të cilat janë ndërmarrë brenda këtij tremujori janë, çmimi i rrymës, diskriminimi i shtresës së mesme nga qeveria, mosvotimi i Ligjit për Trustin.

“Çmimin e rrymës e ngriti pikërisht në kurriz të kësaj shtrese, i liroi korporatat e mëdha nga ngritja e çmimit, ua subvencionoi ngritjen shtresës tjetër që nuk jetojnë në zonën urbane. Ndërkohë, koston e ngritjes po e paguajnë shtresa e mesme, që sot jetojnë me nga një pagë të nivelit mesatar”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, qeveria Kurti “shpërndau ndihma gjithandej Kosovës me kritere skajshmërisht diskriminuese, duke e përjashtuar sërish shtresën e mesme që marrin pagë mbi 1000 euro, e që në shumicën e rasteve kanë vetëm një të punësuar në familje”.

Për deputetin e opozitës, goditja fatale kësaj shtrese po i jepet duke mos votuar Ligjin për Trustin.

“Duke ua pamundësuar shfrytëzimin e mjeteve të tyre (po e përsëris, mjetet e tyre) dhe arsyetimi banal i tyre është se nga ky ligj përfitojnë të pasurit”, ka shtuar ai.

Ndryshe, me moton “Dil protesto për paratë e tua”, të enjten e 26 majit do të protestohet për lejimin e tërheqjes së një përqindjeje të mjeteve të Trust-it pensional nga qytetarët.

“Pasi që shumicës në grup iu përshtat ora 12:00 për të protestuar të enjten, ashtu e lamë. Pra, të enjten protestojmë në mënyrë paqësore para Kuvendit të Kosovës, dhe iu bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të votojnë Projektligjin për tërheqje 30 për qind të Trustit”, shkruhet në grupin “Pro Tërheqjes 30% të Trust-it”.

Ndonëse nuk u miratua nga Komisioni për Buxhet, propozimi për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve pensionale (Trust), do të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës pa aprovimin e këtij komisioni.

Disa nga deputetët opozitarë të këtij komisioni ishin pro, ndërsa votat e pushtetit ishin kundër.

Në anën tjetër, Verica Ceraniç e Listës Serbe ishte pro, ndërsa Duda Balje abstenoi.

Deputeti Haxhiu me vetiniciativë kishte dorëzuar në Kuvend Projektligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, më nëntë mars.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika