Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka bërë të ditur se katër amandamentet e propozuara nga AAK në Komisionin për Administratë u refuzuan nga Qeveria.
Ai ka kritikuar qeverinë për këtë duke theksuar se me këtë refuzim ua ka dhënë “goditjen më të madhe zyrtarëve publikë në administratën shtetërore, njëherësh duke ua humbur shpresën për meritokraci dhe karrierë profesionale”.
“Propozimet ishin konkrete: Nenet 44 dhe 46 për procedurat e emërimit të nëpunësve të ulët dhe të mesëm drejtues, propozoj të rishkruhen tërësisht dhe të kthehet rregullimi siç është tani në Ligjin për Zyrtarët Publikë. Pra, të kthehet sistemi i karrierës, lëvizjes brenda kategorisë dhe ngritjes në detyrë siç është tek neni 38 dhe 39 i ligjit aktual në fuqi”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ndër të tjera, Tahiri ka thënë se te rekrutimi i pozitave të nivelit të lartë drejtues, te neni 47, lista fituese të përbëhet nga tre kandidatë që kanë fituar më së shumti vota nga pragu prej 70 për qind, por jo të gjithë kandidatët mbi 70 për qind.
“Përzgjedhja në parim të bëhet e kandidatit që ka fituar më së shumti vota, e nëse përzgjidhet kandidati i dytë ose i tretë, të kërkohet arsyetimi me shkrim, me qëllim të sigurimit të parimit të meritokracisë”, ka vijuar tutje.
Ndërsa, te Ligji i Pagave, Tahiri ka propozuar që neni 9 i projektligjit të shtohet një paragraf i ri, 9.3 vlera e koeficientit të jetë 129 euro, vlerë e cila duhet të rritet varësisht nga lëvizjet buxhetore për vitet e ardhshme.