Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveritë shkojnë e vijnë, administrata shtetërore duhet të mbesë.
“Njoftimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk mund të dekretohet, nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të prodhojë efekte juridike deri në vendimin final të Gjykatës, është një lajm shumë inkurajues”, ka shkruar Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka theksuar se ky është “një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karierës profesionale në shtet”.
“Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut!”, ka shtuar tutje Tahiri.
Mes tjerash, Tahiri ka theksuar se “nuk mund të bëhet asnjë reformë e administratës shtetërore duke shkelur kushtetutën e vendit tonë, duke shkelur rëndë dhe pamëshirshëm të drejtat e njeriut, duke shkelur çdo parim të SIGMA-s dhe të Bashkimit Evropian dhe duke shkelur edhe vetë MSA-në e Kosovës me BE-në”.
Sipas tij, Ligji për Zyrtarët Publikë “i shkel rëndë të gjitha këto në mënyrë flagrante”.