Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, që të nisë një iniciativë ndaj deklaratave 10 vjeçare të ish-senatorit zviceran Dick Marty-t.
“E kemi ngrënë për 10 vjet tregimin e tij dhe krejt bota na ka sharë e sulmuar, hajde t’ia kthejmë, t’i themi se keni dhënë raport të rrejshëm”.
Kështu është shprehur ai në seancën e së martës në Kuvendin e Kosovës ku po zhvillohet diskutimi për politikën e jashtme të vendit, teksa ka përmendur ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë.
“E kemi një situatë të rëndë që ka të bëjë me çështjen e deklarimit të Dick Marty-t i cili ia ka qit faqen e zezë këtij vendi. Bëni nder këtij vendi niseni një iniciativë që t’ia kthejmë Dick Marty-t”, ka thënë Tahiri.
Më tej ai ka theksuar se politika e jashtme duhet të ketë një strategji se si t’iu kthehet Dick Marty-t, i cili është deklaruar se iu ka kërcënuar jeta nga Serbia.
“Për këtë çështje, për këtë raport, sot burrat që i kanë bërë nder këtij vendi, të gjithë, i ke në Hagë. Nuk po them si parlament të përzihemi në drejtësi sepse vetë e keni ngritur dorën, ia pafshi bash çyken e hajrit”, shtoi ai.
Sa i përket debatit për politikën e jashtme, Tahiri ka thënë se është dashur të servohen sukseset që kanë ndodhur në një raport një vjeçar.
Sipas tij, kjo qeveri “nuk ka qenë në gjendje” që tri ligjet që i kanë vendosur në agjendën legjislative t’i sjellin në parlament.
Po ashtu, shkarkimin e ambasadorëve të emëruar politikisht, dhe emërimin e të rinjve, e ka quajtur të papresedantë, derisa ka thënë se në diplomaci kjo qeveri nuk ka kurrfarë strategjie e cila do të përcaktonte në mënyrë të qartë se kah duhet të ecë vendi.
“Në këtë qeveri ka ndodhur dicka e papresedantë, një përpjekje kolektive e ambasadorëve të emëruar politikisht, që nuk ka ndodhur që nga lufta e dytë botërore, në përjashtim në Malin e Zi. Është e padrejtë që me një informatë të thejshtë të kthehen diplomatët dhe pastaj emërimi i tyre të ndodhë në një kohë të vonshme dhe pa asnjë efekt”.
Ndërkohë, Tahiri ka kërkuar të krijohet një agjendë proaktive gjë që sipas tij, do të forconte në imazhin e Kosovës.
Por, teksa e kritikoi qeverinë, Tahiri ka përmendur dy sukseset të cilat i ka konsideruar si “të vetmet”.
“Suksesi i parë që ia vlen të përmendet është vendosja e marrëdhënieve diplomatike me timorin lindor, dhe në politikën e jashtme e kemi vetëm një sukses dhe atë nuk e ka bërë qeveria, por ambasadori Qëndrim Gashi që ka marrë çmimin më të lartë në Francë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se me udhëheqjen e qeverisë Kurti, Kosova ka përjetuar degradim në politikën e jashtme.
Sipas saj, në çdo paraqitje në forume, “Kosova është portretizuar si vend i krimit dhe korrupsionit nga vetë institucionet e saj”.
“Në këtë ministri ka shkelje ligjore. Ka mungesë konsistence. Në qeverinë Kurti kemi përjetuar degradim në politikën e jashtme”, tha Musliu-Shoshi.
Në anën tjetër edhe, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, adresoi kritika ndaj ekzekutivit.
Ai konsideron se largimi i të emëruarve politik, është një dështim i qeverisë.
“Mendon që në diplomaci ka pasur njeri që kanë qenë banditë të paaftë. Tha e kemi reduktuar numrin që kanë qenë të emëruar politik. Kush ka qenë i emëruar politik. Ne kemi pasur emër atë nderuar politik, Qëndrim Gashi, Vlora Çitaku e shumë emra të tjerë që ia kanë kushtuar veprimtarinë Kosovës”.
Ndryshe, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka kritikuar Qeverinë, se diplomatët në shërbimin e jashtëm po i zëvendësojnë me praktikantë.
Ai ka pasur kritika edhe për Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se, gabimet e saj tregojnë që nuk ka njohuri.
Diplomacinë e tanishme të Kosovës, Hoti e ka cilësuar si më të dobëtën që ka pasur ndonjëherë vendi, dhe se shkarkimet që po bëhen, sipas tij, janë bërë për hakmarrje.
Hoti: Vendin e diplomatëve të shkarkuar po e zënë praktikantët