Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kritikuar VV-në për bllokimin e punës së Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.
Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se bllokimi i këtij komisioni u bë posa dolën në pah fakte konkrete se pati “abuzime dhe keqpërdorime në procesin e subvencionimit të librave”.
Sikur të ishte nënshkruar kontrata e MAshT-it në atë kohë me shtëpitë botuese, sipas Tahirit, do të shpenzoheshin 7 milionë euro më pak, kurse sipas tij tashmë kemi afro 12 milionë euro shpenzime në procesin e subvencionimit të librave.
“Në kohën kur ky komision arriti në fakte konkrete, abuzime e keqpërdorime, arriti me qit në pah kontratat që u deshën të nënshkruheshin me shtëpitë botuese e që nuk u nënshkrua nga Qeveria e Kosovës, ku u shpenzuan afro 12 milionë euro në subvencionim. Sikur të nënshkruhej kontrata do të shpenzoheshin rreth 5 milionë euro, pra që i bie 7 milionë euro më pak humbje”, ka deklaruar Tahiri.
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka pretenduar se hetimi parlamentar për subvencionimin e teksteve shkollore 2023/24 i ka kaluar mandati.
Këtë e ka kundërshtuar kryetari i komisionit, Shemsedin Dreshaj, i cili ka deklaruar se afati i komisionit, të themeluar në prill, është deri më 16 nëntor.
E se LVV po e bën këtë qëllimshëm ka deklaruar edhe nënkryetari i komisionit, Ardian Kastrati.
“Arsyeja pse VV qëllimshëm po e bën këtë rrëmujë është për të bllokuar hetimin e aferës potenciale korruptive me kryeprotagoniste Arberie Nagavcin. Nga 4 milionë të planifikuara për tekstet, këta kanë shpenzuar 11 milionë. 7 milionë më shumë të cilat nuk janë shpjeguar qartë në komision, prandaj pas përfundimit të punës së komisionit në shtator, këtu unë besoj fort ka me pas punë Prokuroria Speciale. Kësaj pra, i frigohen këta të VV-së, hetimeve të Prokurorisë Speciale dhe kjo është arsyeja që shkaktojnë këto ditë rrëmuje me komisionin për ta spostuar vëmendjen nga hetimet për afera potenciale korruptive”, ka deklaruar Kastrati, nënkryetar i komisionit.
Çuditin deputetët e LVV-së, thonë se mandati i Komisionit Hetimor për tekste shkollore ka përfunduar
Në këtë konferencë, Tahiri pas përmbylljes së sesionit pranveror të Kuvendit ka thënë se ishte “periudhë e fitoreve të betejave kushtetuese të PDK-së në mbrojtje të interesit publik dhe vlerave të shtetit demokratik”.
Tahiri, në një konferencë për media, tha se GP i PDK-së është angazhuar në vazhdimësi që të ndalë projektet dhe iniciativat e dëmshme të Qeverisë Kurti, e cila e ka shpërfillur Kuvendin dhe e ka braktisur përgjegjësinë dhe llogaridhënien para qytetarëve.
“Sesioni pranveror ka filluar në fund të janarit të këtij viti me mbi 30 pika të papërfunduara të sesionit vjeshtor dhe po ashtu po e mbyllim këtë sesion me diku 30 pika të papërfunduara. Kjo tregon për efikasitetin e punës së këtij Kuvendi”, theksoi ai.
“PDK ka fituar betejat kushtetuese për anulimin e Ligjit për Byronë Shtetërore dhe për ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil, si dhe ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Beteja e parë që ka të bëjë me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ishte një iniciativë që binte ndesh me rendin tonë kushtetues që Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë pretendimeve tona. Dhe, në anën tjetër, ishte edhe Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, e cila ishte një iniciativë për ta rrënuar shërbimin civil në Republikën e Kosovës, një investim 20-vjeçar nga fondet tona si taksapagues të shtetit dhe nga fondet e BE”, tha Tahiri.
PDK ka propozuar themelimin e katër Komisioneve Hetimore, atë për shlyerjen e borxheve milionëshe ambalazhuesve të ujit nga Ministria e Mjedisit, për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe zjarret në IML, për kontratat njëburimore nëpër ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore dhe për subvencionimin e teksteve shkollore.
“Gjatë këtij sesioni GP i PDK-së ka iniciuar katër Komisione Hetimore, ku vetëm një prej tyre kemi arritur që ta themelojmë [për subvencionimin e teksteve shkollore] dhe në fund edhe puna e tij na është bllokuar”, tha Tahiri.
Tutje, ai ka thënë se gjatë sesionit pranveror, PDK ka iniciuar disa debate parlamentare, atë për arratisjen e personave të dënuar, atë për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për emigrimin e qytetarëve nga Republika e Kosovës, për tërheqjen e tri projektligjeve kundërkushtetuese nga shqyrtimi në Kuvend, si dhe për shkarkimin e Bordit të RTK-së.