Tajvani raporton për aktivitet ushtarak të Kinës afër ishullit

Ishulli vetëqeverisës i Tajvanit, që Kina thotë se është pjesë e territorit të saj, është ankuar për katër vjet se Kina kryen patrullime dhe stërvitje ushtarake afër ishullit

Tajvani raporton për aktivitet ushtarak të Kinës afër ishullit. FOTO:REUTERS

Tajvani ka raportuar për avionë luftarakë dhe luftanije të Kinës përreth ishullit të shtunën, përfshirë edhe avionë që kanë kaluar vijën e ndjeshme në Ngushticën e Tajvanit, përderisa Pekini po vazhdon aktivitetet ushtarake tri javë para se Tajvani të mbajë zgjedhje.

Ishulli vetëqeverisës i Tajvanit, që Kina thotë se është pjesë e territorit të saj, është ankuar për katër vjet se Kina kryen patrullime dhe stërvitje ushtarake afër ishullit.

Fushata është duke u zhvilluar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në Tajvan më 13 janar. Raportet me Kinën janë në epiqendër të fushatës, shkruan Rel.

Ministria tajvaneze e Mbrojtjes tha se që nga ora 13:30, sipas kohës lokale, të së shtunës, kanë detektuar avionë të llojeve J-10, J-11 dhe J-16, në pjesën veriore dhe jugperëndimore të hapësirës ajrore të Tajvanit.

Dhjetë avionë kanë kaluar vijën e Ngushticës së Tajvanit, apo i janë afruar shumë, përderisa luftanijet kineze kanë kryer “patrullime për gatishmëri të luftimeve”, tha Ministria.

Vija në Ngushticën e Tajvanit është një kufi jozyrtar mes dy palëve, por avionët kinezë rregullisht e shkelin atë.

Ministria e Mbrojtjes tha se forcat e saj po monitorojnë situatën.

Kina nuk ka komentuar për aktivitetet e fundit ushtarake afër Tajvanit. Më herët, ajo i kishte thënë se aktivitetet ushtarake synonin të parandalonin “përplasjen” midis separatistëve të Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara dhe kishin për qëllim të mbronin integritetin territorial të Kinës.

Tajvani u nda nga Kina gjatë luftës civile më 1949, por Pekini vazhdon të pretendon se ishulli prej 23 milionë banorësh është territor kinez, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës që ta rimarrë atë.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika