Këtë të martë do të mbahet takimi i ri në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në nivel kryenegociatorësh.
Mbajtjen e takimit e ka konfirmuar Bashkimi Evropian.
“Mund të konfirmoj se takimi i radhës në nivelin e kryenegociatorëve do të jetë nesër në Bruksel. Rendi i ditës është mjaft i qartë. Është rruga përpara në zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord. Dhe sigurisht, diskutimi për çështjet që po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar të hënën Stano.
Mbajtja e këtij takimi ishte e pasigurt në fund të javës së shkuar, meqë kishte mospajtime rreth agjendës së diskutimeve.
Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do ta fillojnë ditën me takimet e ndara me emisarin evropian për dialog Miroslav Lajçak, i cili më pas do të mëtojë organizimin e takimit trilateral.
Ndryshe, Bashkimi Evropian ka mirëpritur thirrjen e bërë nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e tyre në të gjitha institucionet e vendit.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së, ka nënvizuar se Brukseli vazhdimisht ka ftuar Beogradin që të inkurajojë këtë gjë, ndërsa Prishtinën që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës.
BE-ja gjithashtu përsëriti thirrjen e vazhdueshme për depërshkallëzim si dhe për implementim të plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu nga të dyja palët.
Zëdhënësi i BE-së nënvizoi se marrëveshjet e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, parashikojnë hapat dhe procedurat konkrete, gjithnjë duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës.