Marrëveshjen që e arritën në këtë takim, liderët Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq do ta diskutojnë të martën në Bruksel.
E, katër ditë para këtij takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Bashkimi Evropian ka konfirmuar agjendën diskutimeve.
Çështja e parë në rendin e ditës do të jetë miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur gjatë luftës, kurse më pas do të prezantohet drafti i parë i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Por, nuk dihet se çfarë ndikimi mund të kenë zhvillimet e kësaj jave në Strasburg, ku Serbia votoi kundër shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ky veprim u vlerësua si shkelje e marrëveshjes së Ohrit nga ana e Serbisë.
Mirëpo, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj vlerëson se Kosova nuk duhet të merret shumë me këtë çështje në takimin e 2 majit.
Besfort Rrecaj, Profesor i së drejtës ndërkombëtare ka thënë se “Unë pres që pala kosovare mos ta problematizojë shumë çështjen e votës kundër të Serbisë në Këshillin e Evropës për anëtarësimin e Kosovës, për arsye se gjërat nuk janë bardh e zi, diplomacia është shumë komplekse dhe ne duhet të lexojmë më shumë përtej asaj që na paraqitet neve prima facie. Është e vërtetë që marrëveshja kërkon mos ta pengojë, mirëpo kjo puna e pengimit lë interpretime të ndryshme”.
Kosova, sipas profesorit Rrecaj, duhet të jetë e kujdesshme në mënyrë që të mos shihet si palë bllokuese në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
Akri Çipa, Studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë se “Në radhë të parë Kosova ka arsye të jetë skeptike jashtëzakonisht shumë skeptike në raport me qasjen që do të ketë tash më 2 maj Z. Vuçiq dhe në pretendimin që do të ngreh ai në tavolinën e diskutimit në Bruksel. Është e rëndësishme që të vazhdohet të këmbëngulet te një qëndrim konstruktiv nga ana e Kosovës, në mënyrë që mos të marrë përsipër barrën e pengimit të dialogut sikurse është edhe objektivi kryesor i Serbisë që paraqes Kosovën si palë destruktive”.
Përveç dy temave të para në rendin e ditës, në takimin e së martës Kurti dhe Vuçiq pritet të diskutojnë edhe çështjet aktuale që BE-ja i vlerëson me rëndësi politike.