Lidhur me takimin mes kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti, deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, ka thënë se si “parti shtetformuese” për ta, interesat e vendit janë më madhore se ato partiake”.
“Tani ka shumë herë, kryeministri dhe presidentja kanë bërë ftesë dhe ne si parti nuk e kemi vlerësuar të domosdoshme që të marrim pjesë në ato takime”, ka thënë deputetja.
Sipas saj, kësaj radhe e kanë parë të arsyeshme që të shkojnë në këtë takim dhe të diskutojnë lidhur me datën e zgjedhjeve.
“Marrë parasysh që ne jetojmë në demokraci dhe secila parti politike e ka të drejtën që të refuzojë apo të pranojë, ne e kemi parë të arsyeshme që të jemi në këtë darkë dhe të shkojmë me kërkesën tonë direkte që është shpërndarja e Kuvendit apo caktimi i datave sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë deputetja në “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini.
“I kemi paraqitur disa data dhe nga deklarimet që kemi parë pas këtij takimi shihet që konkretisht është diskutuar për datën e zgjedhjeve dhe mënyrën se si kësaj qeverie t’ia shkurtojmë jetëgjatësinë qeverisëse”, është shprehur Musliu – Shoshi.
Një darkë pune u zhvillua këtë të hënë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Lexo më shumë: “Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e Krasniqit
Në këtë takim, përveç tyre, ishin edhe shefat e Grupeve Parlamentare të të dyja partive, si dhe temat e diskutuara sipas kryeministrit u fokusuan në sfidat politike dhe legjislative që Kosova po përballon në këtë periudhë.
Kryeministri Kurti, pas takimit, ka thënë se me Krasniqin ka diskutuar për zgjedhjet e reja dhe, sipas tij, stinët më të përshtatshme për mbajtjen e tyre janë pranvera e vjeshta, por për caktimin e tyre tha se pret bashkëpunim me opozitën.