Takimi Kurti-Vuçiq i paralajmëruar në korrik, BE ende pa datë

BE-ja ende nuk ka dalë me një datë të caktuar lidhur me takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Por, zyrtarja e shtypit për Politikë të Jashtme dhe Siguri nga BE, Paloma Hall Caballero, ka thënë se aq sa kërkojnë palët negocim, aq negociata ndërmjetëson BE-ja

Takim në nivelin e lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Bruksel, 15 qershor 2021

Bashkimi Evropian ende nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar lidhur me takimin e shumëpritur midis dy kryenegociatorëve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut, në Bruksel.

Ndonëse dialogu midis dy shteteve fqinje po ndërmjetësohet nga BE, megjithatë mbajtja e një takimi midis dy krerëve “nuk varet” vetëm nga unioni evropian.

Në një përgjigje për Portali Dukagjini, zyrtarja e shtypit për Politikë të Jashtme dhe Siguri nga BE, Paloma Hall Caballero, ka thënë se aq sa kërkojnë palët negocim, aq negociata ndërmjetëson BE-ja.

Sipas saj, ani pse është diskutuar për një takim të mundshëm midis dy liderëve të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk i takon BE-së që të caktojë ritmin e negociatave.

“Ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të Dialogut nëse dhe kur është e nevojshme. Personat e zhdukur është një nga temat që është diskutuar gjatë periudhës së kaluar. Megjithatë, u takon palëve të përcaktojnë ritmin e negociatave”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Caballero, ka theksuar se dy përfaqësuesit e lartë, Josep Borrell, dhe Miroslav Lajçak, po vazhdojnë angazhimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Slloveni, në një konferencë për media, kishte deklaruar se një takim midis dy kryenegociatorëve mund të jetë i mundur gjatë muajit korrik.

Sipas saj, Kosova gjithmonë ka qenë konstruktive dhe është angazhuar në mënyrë aktive në dialog.

“Procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut, por kjo varet nga lehtësuesit evropianë, do të kemi një takim në nivel të liderëve”, kishte thënë ajo.

Në anën tjetër, edhe përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi i radhës midis kryenegociatorëve të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, do të mbahet në muajin korrik.

Në një konferencë për media, Lajçak ka theksuar se ka një numër të dokumenteve që po diskutohen, e një ndër to është edhe ai lidhur me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Vizita ime si gjithmonë është politike dhe kam pasur mundësi që të takohem me presidenten Osmani, dhe kryeministrin Kurti me të cilin kemi pasur diskutime të gjata sa i përket dialogut dhe hapave të ardhshëm. Takimin e radhës të kryenegociatorëve do ta kemi në korrik, po punojmë që t’i takojmë të dy udhëheqësit Kurti dhe Vuçiq, dhe kjo do të dëshiroja të ndodhë para pushimeve verore”, është shprehur ai.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak

“Ka një numër të dokumeneteve që po i diskutojmë, një prej tyre po diskutojmë një dokument të rëndësishëm lidhur me personat e zhdukur”.

Ndryshe, bartësit e dialogut, Kurti dhe Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021.

Deri më tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Optimist për një takim të mundur gjatë muajit korrik midis Kurtit dhe Vuçiq, është shprehur edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dorajet Ymeri.

Sipas tij, janë disa skenarë të cilët çojnë në disa marrëveshje që mund të nënshkruhen midis dy palëve, e ndër to Ymeri konsideron të jetë marrëveshja për të pagjeturit.

“Ka të ngjarë të jenë dy apo tri skenarë tashmë. Është deklaruar se Kosova dhe Serbia mund të nënshkruajnë një marëveshje, atë të të pagjeturve. Dhe kjo do të mund të bëhej në nivel të dy krerëve të shteteve”, është shprehur Ymeri.

Në një lidhje direkte në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Ymeri ka konsideruar se i rëndësishëm është dakordimi midis dy palëve për zbatimin e marrëveshjes për targat dhe nënshkrimin e marrëveshjes për të pagjeturit.

“Nuk është shumë e rëndësishme dita se kur do të mbahet, është e rëndësishme se a do të munden të dy palët të merren vesh për zbatimin e marrëveshjes për targat dhe për nënshkrimin e marrëveshjes për të pagjeturit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kohëve të fundit, në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Kosovë e Serbi, janë shpeshtuar vizitat e zyrtarëve të nivelit të lartë të vendeve perëndimore.

Këto vizita, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, po konsiderohen shenja të seriozitetit të politikës së jashtme.

Ato tregojnë rëndësinë që e ka marrë Ballkani Perëndimor në agjendën e vendeve të BE-së, dhe konfirmojnë vëmendjen e BE-së ndaj rajonit në tërësi.

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se ardhja e përfaqësuesve shtetërorë dhe atyre institucionalë, siç është Unioni Evropian së fundmi, tregon rëndësinë e një mori temash të pambylluara në rajon.

“Kosova ka nevojë më shumë se kurdoherë që të presë ardhjen e zyrtarëve të lartë, si domosdoshmëri e ndryshimeve të gjeopolitikës evropiane dhe domosdoshmërisë së mbylljes së shumë temave që kanë të bëjnë me Kosovën dhe fqinjët e saj, specifikisht me atë verior”, tha Pula për Portali D.

Ndonëse ka më shumë se 11 vjet që po zhvillohet dialogu midis dy vendeve fqinje në Bruksel, Kosova vazhdon të insistojë në njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij më 10 qershor në Kosovë, kishte deklaruar se marrëveshja përfundimtare duhet të zgjidhë njohjen e çështjes së Kosovës.

Edhe presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, gjatë vizitës së tij në Prishtinë kishte theksuar se institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën.

Të njëjtin qëndrim, që dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë e ka thënë në Kosovë edhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika