Ndonëse u takuan dy herë gjatë vitit 2021, negociatat në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk patën ndonjë rezultat konkret.
Data 18 gusht do t’i ritakojë sërish ata në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Çka do të diskutohet?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë për dy tema, njëra nga to është diskutimi për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve me njohje reciproke.
Kurse tema tjetër që pritet të diskutohet në dialog, sipas kryeministrit të Kosovës janë zhvillimet aktuale tensionuese të kohës së fundit.
Këto deklarata Kurti i dha pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Bruksel, një ditë para takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
“Dy tema të rëndësishme, e para elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke dhe tjetra është çështjet aktuale ku natyrisht pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale me vështirësitë që janë shfaqur kohëve të fundit”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, presidenti serb, Vuçiq, ka deklaruar disa herë para mediave se do të kërkojë që të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë Marrëveshjet e arritura për çështjen e Asociacionit.
Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Ndërkaq, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka thënë se me të e ka ngritur çështjen e Asociacionit me shumicë të komunave serbe.
Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet, por brenda ligjeve të Kosovës. Escobar është shprehur se për këtë çështje është në një linjë me Bashkimin Evropian, teksa ka thënë se në Evropë ka modele që mund të shërbejnë edhe për asociacionin që mund të formohet në Kosovë.
“Çështja e Asociacionit është e rëndësishme, duhet të implementohet brenda ligjeve të Kosovës, po ne folëm për këtë çështje. Në Evropë ka shumë modele që mund të përdoren”, ka deklaruar ai për disa media kosovare.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin në 2013 dhe më pas në vitin 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po në 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, është bërë e ditur se takimi do të nisë të enjten në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, do të zhvillojë po ashtu takime të veçanta me secilin lider.