Zyra për Informim e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar të martën e 28 qershorit se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur të martën përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Në njoftimin e Zyrës për Informim thuhet se gjatë takimit, Abdixhiku dhe Lajçak diskutuan për gjendjen e përgjithshme politike në vend, ndërsa temë e veqantë e diskutimit ishte procesi i dialogut Kosovë-Serbi.
Abdixhiku ia theksoi synimin e LDK-së Lajçakut se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Kryetari Abdixhiku, ndër të tjera, tha se LDK mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtarë në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, kryetari i LDK-së ka kërkuar përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, e cila u adresua në Rezolutën e EPP-së që u votua në fillim të qershorit.