Talibanët kanë marrë urdhër për t’i ndaluar gratë afgane të punojnë në Kombet e Bashkuara, kështu ka bërë të ditur organizata.
OKB-ja ka thënë se talibanët i kanë informuar ato verbalisht, mirëpo nuk ekzistojnë komunikime me shkrime.
Kombet e Bashkuara i kanë thënë stafit afgan – burrave dhe grave – që të mos raportojnë në punë për 48 orë, derisa të sqarohet kjo çështje në takimet me talibanët.
Prej kur talibanët janë kthyer në pushtet në Afganistan, në gusht të vitit 2021, të drejtat e grave janë shtypur në pothuajse çdo sektor.
“Ky është hapi i fundit që minon tentimet e organizatave për ndihmë që të arrijnë te ata që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë një zëdhënës i OKB-së, duke shtuar se “nuk mund të operojnë dhe të ofrojnë ndihmë kyçe, pa gra në staf”, raporton REL.
OKB-ja e ka konsideruar urdhrin e talibanëve si “të papranueshëm”.
Punëtoret gra luajnë rol të rëndësishëm në operacionet në terren, sidomos në identifikimin e grave të tjera në nevojë.
OKB-ja ka thënë se ka qenë duke punuar për të siguruar ndihmë humanitare për 23 milionë njerëz në Afganistan, të cilët përballen me kushte të rënda dhe krizë humanitare.
Në dhjetor, talebanët urdhëruan të gjitha OJQ-të e huaja dhe vendase t’i ndalonin punonjëset e tyre nga puna. Por, OKB- ja ishte përjashtuar nga ky rregull.