Afati i fundit ishte caktuar 30 shtatori, por të gjithë ata banorë të Kosovës nga komuniteti serb që kanë vetura me targa “KM”, “PZ”, “GL”, “PR” për ti kthyer në target RKS do të kenë afat deri më 31 tetor.
Ky vendim është marrë në një mbledhje të orëve të vona të ditës së martë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Shtyerja e afatit për një muaj nga ekzekutivi po shihet si sinjal i dështimit të tyre në sjelljen e rezultateve pozitive në vendimin e marrë.
Arbër Thaçi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se afati shtesë i dhënë nga qeveria e vendit nuk pritet të ketë ndonjë efekt konkret për rritjen e numrit të regjistrimeve.
“Qeveria Kurti ka vazhduar qasjen e njëjtë të qeverive të kaluara sikur në video apo vetëm komunikata në raport më komunitetin serb në Kosovë. Edhe ky numër i pakët që ka pranuar ti ndërroj tabelat është dëshmi e fushatave që do të nxisin një bashkëpunim të komunitetit serb me Kosovën. Qeveria Kurti nuk ka arrit të nxitë ndonjë ndryshim në raport të komunitetit serb dhe Kosovës siç është dialogu shoqëror”, ka thënë Thaçi.
Se parashikimet e ekzekutivit nuk i kanë dalë ashtu siç ka pritur rreth zbatimit të këtij vendimi, e thotë edhe analisti, Arbnor Sadiku.
“Po shihet në raport më serbët e Kosovës, çdo vendim që merr qeveria e Kosovës duhet të dialogoj më ta në të kundërtën nëse mirren më vendime të njëanshme do të dështojnë. Është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të kuptioj se cdo problem më serbët në Kosovë nuk janë probleme teknike por politike”, ka thënë Sadiku.
Televizioni Dukagjini ka raportuar gjatë të martës rreth numrit të veturave nga ky komunitet që janë regjistruar me targa RKS.
Për televizionin, Ministria e Punëve të Brendshme, ka treguar se deri tash nga 1 shtatori janë regjistruar vetëm 5 automjete me targa RKS.