Analisti i çështjeve politike, Ismail Tasholli, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se thirrja e grevave po bëhet në kohën kur shumica e fëmijëve dalin analfabetë funksionalë.
Tashalli ka deklaruar se nëse Kurti mendon që shkollat në Kosovë prodhojnë tri të katërtat analfabetë funksionalë ka të drejtë, pasi sipas tij, ai e di këtë më së miri për nga numri i përkrahjes që ka.
“Nëse Kurti mendon se shkollat ne Kosovë prodhojnë tri të katërtat analfabetë funksionalë, ka të drejtë. Këtë e di ai më së miri për nga numri i përkrahjes që ka. Numri i përgjithshëm i studentëve në Universitetin e Prishtinës domethënë pa i llogaritur ato private, vitin 2021/22 ka qenë 31 mijë e 667. Kalkulojeni në 20 vjet mbas lufte sa dalin saktë dhe kthejeni në përqindje të votuesve të tij. Plus, shtini mërgimtarët (që i ofendoi) në këtë kalkulim dhe ju dalin shifrat”, është shprehur Tasholli, në një postim në rrjetin social Facebook.
Ndërsa, Tasholli ka reaguar edhe për deklaratën e këshilltarit politik të Kurtit, Elvis Hoxha, i cili ka quajtur kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharj, “anëtar të partisë serbe”.
Tasholli pas kësaj deklarate e ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (VV), duke e quajtur ironikisht “albano-detektor”
“Shih ti, u bë halli i VV “albano-detektor”, me na tregu neve a është Rrahman Jasharaj shqiptar a jo”, është shprehur ai.
Ndërkaq, ai ka thënë se edhe personat që kanë votuar pro Qeverisë Kurti, mendojnë të njëjtën gjë sikur Hoxha për Jasharajn.
“Për besë, edhe ata që e kanë votu e mendojnë kështu, tu e sulmu Jasharajn, bajagi magarë duhet me kanë”, ka thënë Tasholli.
Gjatë ditës së premte, Kurti kishte deklaruar se është e papërgjegjshme që të bëhet vetëm thirrje për rritje pagash, në kohën kur shumica e fëmijëve dalin analfabetë funksionalë.
“Duke nxjerrë analfabetë e duke menduar veç për paga, po na shtohen lista sociale ose asistencë dhe punëtorë krahu në Gjermani”, kishte deklaruar Kurti, të premten.
Ndërsa, Hoxha, i kishte kërkuar falje kryesindikalistit Rrahman Jasharaj, pasi e kishte quajtur “anëtar të partisë serbe”.
Hoxha ka thënë se nuk ka turp të kërkojë falje, dhe se e gjithë deklarata e tij ishte e rrënjosur në një lajm të shpërndarë nëpër disa media, i cili tash i doli të jetë i pakonfirmuar.
Hoxha e kishte ripërsëritur disa herë se kërkim faljen po e bën vetëm ndaj komentit që pati për Jasharajn, derisa ka thënë se e konsideron të papranueshme këmbënguljen e Jasharajt për ta vazhduar mbajtjen e grevës në arsim.