Ilir Meta përfundon mandatin e tij 5-vjeçar si president i Shqipërisë, të dielën e 24 korrikut.
Detyra e presidentit do t’i bartet në po të njëjtën ditë ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.
Presidenti i ardhshëm, Begaj do të betohet në një seancë të posaçme parlamentare që do të zhvillohet në orën 18:00 në Kuvend.
Më pas, e seanca do të vazhdojë në Presidencë dhe me ceremoninë e marrjes së detyrës së Presidentit.
Ceremonia pritet të fillojë në Presidencë në orën 18:45 me mbërritjen e personaliteteve të ftuara, ndërsa Begaj do të mbërrijë në orën 19:15.
Pas dorëzimit të Kushtetutës nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, ai do të mbajë fjalën si Presidenti i ri i vendit në orën 19:40.
Bajram Begaj ishte propozim i Partisë Socialiste.
Ai u zgjodh President në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Begaj ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Begaj do të jetë presidenti i 8-të i vendit që pas shpalljes së pluralizmit.
Agjenda e ceremonisë:
18:45 – 19:15- Mbërritja e të ftuarve
19:15 – Mbërritja e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj në Presidencë
19:29 – Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj bashkë me ish-Presidentin e Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, dalin nga Presidenca dhe zënë vend në tribunë
19:30 – Luhet Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi
19:35 – Znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
19:40 – Fjala e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj.
19:50 – Largimi i ish-Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta
19:53 – Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.
19:58 – Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë
20:00 – Pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.