Muhamed Lika, pjesëtar i Policisë së Kosovës, u vra mbrëmjen e 1 prillit në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.
Lika u varros të mërkurën në “Varrezat e Dëshmorëve” me nderime të larta shtetërore.
Ndërkohë, autoritetet ende nuk kanë arrestuar të dyshuarit për vrasjen e tij. Këtë e ka konfirmuar për TV Dukagjinin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Gjatë një konference për media, kryeprokurori Burim Çerkini deklaroi se vrasja mund të ketë qenë e planifikuar dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë tentativë grabitjeje.
“Të dyshuarit nuk kanë përdorur maska, por kapela. Duke qenë se ngjarja ka ndodhur natën, identifikimi i tyre është më i vështirë. Nuk ka asnjë tregues që qëllimi i tyre ka qenë grabitja. Vërehet qartë që synimi i tyre ishte ekzekutimi i rreshterit”, ka theksuar Çerkini.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.