Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala ka thënë se LDK-ja do të votoj pro tërheqjes së mjeteve të Trustit në seancën plenare të radhës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Shala ka thënë se ndonëse tërheqja e kursimeve nuk shihet si një veprim i mirë nga ana e ekspertëve, e njëjta është edhe e domosdoshme ngase sipas tij, Qeveria nuk ka lënë zgjidhje tjetër.
“Ajo çështje do të jetë nesër sërish në rendin e ditës. Në thelb, ekspertët tanë mendojnë se nuk është një praktikë e mirë por problemi është që Qeveria nuk ka ndërmarrur asnjë masë tjetër dhe e ka bërë të domosdoshme mundësinë e tërheqjes së një pjese të kursimeve dhe ne nesër do të votojmë ‘për’”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, Shala morri edhe kritika nga analisti Astrit Gashi se i njëjti po qëndronte i heshtur në Kuvend. Lidhur me këtë, Shala ka thënë se ka mendimin që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk kupton por edhe kur Shala flet, Kurti hesht.
“Nuk ka asnjë rëndësi se di do dukej opozita, së paku opozita e LDK-së nëse Kryeministri do të kishte të drejtë. Po ajo që LDK-ja po kërkon të ulë taksat quhet ‘politikë fiskale’ dhe atë po e bëjnë të gjithë. Pse? Sepse e ulë normën e inflacionit domethënë është shumë e thjeshtë. Edhe nëse teorikisht kryeministri e fiton një debat përballë LDK-së, jashtë do të kemi të njëjtën normë të inflacionit, të njëjtat çmime, të njëjtën pasiguri, mungesë të investimeve, të gjitha. Por edhe në këtë kuptim retorik, unë nuk mendoj që Kryeministri i Kosovës është i zoti të fitojë ndonjë debat sepse për nga natyra ai është autologjik. Unë personalisht nuk kam çka flas për të sepse kam mendimin që ai nuk kupton por edhe kur flas, ai nuk flet. Përpos kësaj, përpiqet që në përballje direkte të shmang LDK-në. Se pse duhet t’a pyesni atë”, ka deklaruar ai.
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën plenare të radhës të enjten e 19 janarit.