Të enjten, ministri i Jashtëm i Çekisë viziton Kosovën

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, gjatë ditës së enjte do të vizitojë Kosovën, për t’u takuar me liderët e shtetit. Vizita e tij vjen në kohën kur është konfirmuar se liberalizimi i vizave është pjesë e rendit të ditës në Këshillin Evropian, në mes të tetorit

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky





Të enjten e 29 shtatorit, ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, do të vijë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Lipavsky do të pritet në takim nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim i Kosovës, Besnik Bislimi.

Pas takimit, siç njofton Zyra e Kryeministrit, zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministri i Jashtëm Lipavsky, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Ndërsa gjatë ditës së mërkurë, Qeveria e Çekisë për RTV Dukagjinin ka konfirmuar se kryediplomati çek fillimisht do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti dhe më pas nga presidentja Vjosa Osmani.

Ndryshe, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështetet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Evropian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga vendet anëtare gjatë vjeshtës”, është shprehur ministri çek, shkruan “Euractiv”.

Për të miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim të vizave me BE-në.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95, sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Rikujtimin se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar dhe se duhet të ndodhë pa vonesa e ka bërë edhe Parlamenti Evropian, përmes raportit për Kosovën.

Në këtë raport është kërkuar nga vendet anëtare në Këshill që “me urgjencë” të ecin drejt miratimit të regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, është thënë se vonesat e reja në këtë drejtim do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së dhe reputacionin e saj si partner i besueshëm.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qenë më e drejtpërdrejtë në kritika, duke bërë me gisht kah Franca dhe Holanda.

“Koha për miratimin e vendimit është tash”, kishte thënë von Cramon.

Ndryshe, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje BE-së që urgjentisht t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP), Osmani e ka quajtur padrejtësi mosliberalizimin.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika