Të enjten e 23 qershorit, liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian(BE), do të takohen në një samit dyditor në Bruksel, të paraprirë nga një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor fillon në orën 09:30 në ndërtesën e Këshillit Evropian.
BE-ja njoftoi se presin shkëmbim të mendimeve me partnerët e Ballkanit Perëndimor për mundësitë për forcimin e procesit të anëtarësimit, përkatësisht, përshpejtimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
Udhëheqësit e Këshillit Evropian pritet t’i takojnë liderët e Ballkanit Perëndimor mëngjesin e së enjtes.
Në takimin me KE-në, Kosova pritet të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.
Në mesin e pikave kryesore që pritet të diskutohen nuk gjendet tema e liberalizimit të vizave për Kosovën, derisa përmendet çështja e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Presidenti i KE-së, Charles Michel ka folur për rëndësinë që Ballkani Perëndimor ka për BE-në dhe anasjelltas.
Megjithatë, ka gjasa që heqja e vizave ndaj kosovarëve të futet në rendin e ditës.
Kjo, pasi në njoftimin e Këshillit Evropian thuhet se mund të trajtohen çështje specifike të politikës së jashtme.
Projekt-konkluzionet që do të miratohen nga udhëheqësit e BE-së për Ballkanin Perëndimor, përsërisin mbështetjen për perspektivën e anëtarësimit në BE për vendet e rajonit, duke bërë thirrje për reforma të vazhdueshme dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Për momentin, në samitin e sotëm nuk pritet të merren vendime konkrete për hapat e rinj të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian.
Pas takimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, rreth mesditës, është planifikuar fjalimi i presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, pasuar nga një konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, si dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Ndërsa pasdite, në orën 15:00, liderët e BE-së do të fillojnë samitin e tyre të rregullt, ku dita e parë do t’i kushtohet situatës në Ukrainë, dhe kandidaturat e Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë për anëtarësim.
Gjatë darkës, liderët e BE-së në Bruksel pritet të mbështesin propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate dhe që Gjeorgjia të marrë “dritën jeshile” për kandidaturë pas përmbushjes së kushteve shtesë.
Samiti përfundon të premten pasdite me një konferencë të përbashkët shtypi të presidentëve të Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Francës, pasi vendi përfundon presidencën e tij gjashtëmujore të radhës të BE-së.